Livaja - Berisha
Një aksion i nisur nga zona e Dinamos përfundoi me golin vendimtar të Hekuran Berishës, duke i dhënë fitoren skuadrës së Ilir Dajës ndaj Hajdukut të Splitit. Por goli, ndonëse spektakolar dhe i ndërtuar nga një aksion i gjatë, ka shkaktuar reagime në kampin kroat për mungesën e “fair-play”.

Gjithçka ndodhi pasi sulmuesi dhe lojtari kryesor i Hajdukut, Marko Livaja, u rrëzua në fushë, megjithëse pa ndonjë kontakt të dukshëm me kundërshtarët. Ndërsa kroatët prisnin që Dinamo të ndërpriste lojën për shkak të dëmtimit, futbollistët e Dajës vazhduan aksionin dhe e finalizuan me gol.

Në rrjetet sociale dhe mediat kroate ka pasur komente të shumta, shumica prej tyre duke e mbështetur vendimin e Dinamos për të mos ndërprerë lojën, duke e cilësuar sjelljen e Livajës si teatrale. Megjithatë, zyrtarët dhe futbollistët e Hajdukut nuk ndanë të njëjtin mendim, duke shprehur pakënaqësi të hapur pas golit.
Pas shënimit, pati protesta nga banka rezervë e Hajdukut, çka solli edhe ndëshkime me karton të verdhë për disa lojtarë të ulur në stol.