Pep Guardiola
Pep Guardiola ka ndezur atmosferën para derbit të fundjavës mes Arsenalit dhe Manchester Cityt, duke hedhur ironi ndaj mikut dhe ish-asistentit të tij, Mikel Arteta.
Në një deklaratë me tone sarkastike, Guardiola tha se nëse Arsenali fiton titullin këtë sezon, “do të jetë vetëm sepse ka shpenzuar shumë, jo për shkak të punës së mirë apo cilësisë së skuadrës”.
Arsenali ka investuar rreth 300 milionë euro këtë verë, ndërsa që nga fillimi i pandemisë ka shpenzuar gjithsej rreth 900 milionë euro nën drejtimin e Artetës. City, në të njëjtën periudhë, ka shpenzuar 874 milionë euro, por Guardiola vuri në dukje se klubi i tij ka kompensuar me 550 milionë euro nga shitjet, përkundër vetëm 219 milionëve të Arsenalit.
“Nëse Arne Slot e fiton ligën me Liverpoolin, edhe ai e bën thjesht sepse ka shpenzuar. Apo jo?”, shtoi Guardiola me ironi.
“Kanë qenë të zgjuar”
Megjithatë, tekniku katalanas pranoi se Arsenali ka ndërtuar një skuadër solide: “Kanë investuar me logjikë për të konkurruar në Angli dhe në Evropë. Tani janë në atë nivel.”
Guardiola, i inkurajuar nga dy fitore të rëndësishme kundër Manchester United dhe Napolit, ruan qetësinë: “Sir Alex Ferguson thoshte që pas Boxing Day duhet të jesh afër katër më të mirëve. Ne shpesh kemi qenë pas Arsenalit ose Liverpoolit në dhjetor – dhe në fund kemi fituar titullin.”