Kosova Hendball
Kombëtarja e Kosovës në hendboll për femra do të zhvillojë të dielën ndeshjen e dytë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2026”. Përballja me Kroacinë zhvillohet nga ora 17:15 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë dhe pritet të jetë një test i vështirë për vajzat tona.
Pas humbjes ndaj kampiones së botës, Francës, të mërkurën në Nimes, Kosova kërkon të reagojë ndaj një kundërshtari tjetër të fortë. Kroacia vjen në këtë përballje pas fitores bindëse ndaj Finlandës me rezultat 25:17 dhe konsiderohet si një prej skuadrave me traditë në hendbollin evropian.
Historiku i fundit i kroateve dëshmon për vazhdimësi në gara madhore: në Kampionatin Botëror të vitit 2021 përfunduan në vendin e 18-të, në vitin 2023 në të 14-tin, ndërsa janë të kualifikuara edhe për edicionin e këtij viti. Në Evropianin e vitit 2020 Kroacia u rendit e treta, në vitin 2022 e dhjeta dhe në edicionin e fundit përfundoi në vendin e 19-të.
Pavarësisht forcës së kundërshtarit, përfaqësuesja e Kosovës ka zhvilluar përgatitje intensive gjatë ditëve të fundit dhe është e motivuar për të dhënë maksimumin. Skuadra llogarit gjithashtu në përkrahjen e publikut në Prishtinë për të përballuar këtë sfidë të rëndësishme.
Ndeshja do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.