Java e fundit në arenën ndërkombëtare nuk ka qenë e favorshme për klubet kosovare në basketboll. Sigal Prishtina dhe GO+ Peja kanë pësuar humbje në Ligën ENBL, ndërsa Bashkimi dhe Trepça e kanë përmbyllur pjesëmarrjen e tyre në garat evropiane pa arritur kualifikim më tej.
Sigal Prishtina pëson në Mançester
Sigal Prishtina ka regjistruar humbjen e dytë radhazi në Ligën ENBL, këtë herë në udhëtim ndaj Manchester Basketball, me rezultat 99:74. Bardhekaltrit nuk arritën të rikuperohen nga disfata ndaj Dinamo Zagrebit në Prishtinë dhe u dorëzuan përballë një skuadre të fortë si ajo angleze.
Ndeshja u karakterizua me dominim të vendasve në çdo çerek: 25:18, 16:19, 29:20 dhe 29:17, me Prishtinën që nuk arriti të ruajë intensitetin në pjesën e dytë.
Efikas për Manchesterin ishte Marcus Jones me 31 pikë (12/16 nga fusha), 7 asistime dhe 10 topa të rikuperuar. Te Prishtina u dalluan Dardan Burns me 23 pikë, 9 kërcime dhe 5 asistime, si dhe Arionit Azemi me 14 pikë dhe 5 kërcime.
Statistikat e përgjithshme tregojnë për dominim të vendasve:
-
53.6% saktësi në hedhje për Manchesterin kundrejt 46.3% të Prishtinës
-
12/25 në treshe për vendasit, përballë vetëm 3/11 për mysafirët
-
Manchester fitoi 19-11 në asistime dhe 10-7 në topa të vjedhur
-
Të dyja skuadrat kishin nga 33 kërcime
Pas pesë xhirove, Manchester Basketball kryeson grupin me 8 pikë, ndërsa Prishtina ndan vendin e tretë me po aq pikë, por me një ndeshje më shumë.
Peja pëson humbjen e tretë në ENBL
GO+ Peja u mposht dje në Poloni nga Dziki Warszawa me rezultat të thellë 103:81. Verdhezinjtë kanë tashmë tri humbje në katër ndeshje të zhvilluara në këtë edicion të Ligës ENBL dhe rrezikojnë seriozisht kualifikimin.
Bashkimi eliminohet me 3 fitore në FIBA Europe Cup
KB Bashkimi, ndonëse regjistroi tre fitore në grupin J të FIBA Europe Cup, nuk arriti të sigurojë kualifikimin për fazën tjetër. Fati i portokallezinjve u vulos pas fitores së Reggianas sonte ndaj Cibonës në Zagreb, duke bërë që të katër skuadrat të përfundojnë me nga tri fitore dhe tri humbje.
Sipas kritereve të FIBA-s, përparësi kishte koshaverazhi, ku Bashkimi mbeti në vendin e fundit të grupit, duke u eliminuar.
Trepça mbyll pa fitore aventurën evropiane
Kampioni i Kosovës, Trepça, e ka përfunduar pjesëmarrjen në Evropë me një tjetër humbje, këtë herë ndaj Anwil në Poloni (96:78). Ky ishte disfata e shtatë radhazi për mitrovicasit në këtë edicion evropian, që e përmbyllin garën pa asnjë fitore.
