
Seid Onbashi është futbollist i njohur i gjeneratës së pasluftës si pjesë e Trepçës ’89, e më vonë edhe si trajner i futbollit në Mitrovicë, thekson Kërlaçki, pas një periudhe të gjatë prej tri dekadash me uzurpim të padrejtë, familja Onbashi ka arritur të rikthejë pronësinë dhe posedimin e banesës së saj në pjesën veriore të Mitrovicës.
“Sot, më 16 korrik 2025, pas 30 vitesh padrejtësi dhe presioni, banesa jonë në veri të Mitrovicës është kthyer në pronësi dhe posedim të familjes sonë,” tha pronari Seid Onbashi.
Ai përshkroi rikthimin në shtëpi si një ndjenjë të veçantë dhe theksoi lidhjen e ngushtë me vendin ku kaloi fëmijërinë.
“Pas 30 viteve pritjeje, u rikthyem në banesën tonë në veri të Mitrovicës. Nuk është thjesht një objekt, por kthim në rrënjët tona, aty ku ruhen kujtimet më të çmuara. E drejta triumfoi,” deklaroi Onbashi.
Ai gjithashtu vlerësoi rolin e nënës së tij gjatë gjithë këtij procesi.
“Nëna jonë ishte shtylla që kurrë nuk u dorëzua,” u shpreh ai.
Seid Onbashi falënderoi të gjithë ata që kontribuan në realizimin e këtij rikthimi, përfshirë Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, drejtuesin e saj në Mitrovicë, Erblin Macula, Policinë e Kosovës dhe avokatin Ubejd Gashi, përcjellë RTK.