Kapiteni i përfaqësueses franceze, Kylian Mbappé, ka folur hapur për të ardhmen e stolit të kombëtares dhe ka dhënë mbështetje të plotë për legjendën Zinedine Zidane, si pasues të mundshëm të Didier Deschamps.
Sipas Mbappé, emri i Zidane mban një peshë të tillë në botën e futbollit, saqë vendosja e tij në krye të kombëtares do të pritej me respekt të madh dhe pa kundërshtime.
“Mos ta komplikojmë. Nëse Zidane do të jetë pasuesi, është në rregull. Nëse do të jetë dikush tjetër, edhe kjo është në rregull. Por Zidane është ndoshta i vetmi në historinë e Francës që ka çdo të drejtë të bëhet trajner i kombëtares”, tha Mbappé për L’Équipe, përcjellë Kërlaçki.
Mbështetje për Deschamps deri në fund
Megjithatë, sulmuesi theksoi besnikërinë ndaj trajnerit aktual: “Përpara se Deschamps të largohet, dua të arrijmë ende shumë suksese me të. Fokusimi im i tanishëm është tek turnetë e ardhshëm nën drejtimin e tij.”
Didier Deschamps është në krye të Francës që nga viti 2012. Ai e çoi kombëtaren drejt titullit botëror në vitin 2018 dhe në finalen e Katarit në vitin 2022. Si lojtar, ishte kapiten i Francës që fitoi Kupën e Botës në vitin 1998. Ka konfirmuar se do të largohet pas Botërorit 2026, duke thënë: “Një ditë duhet të largohem.”
Zidane, trajner i lirë që nga 2021
Zinedine Zidane, që në karrierën e tij trajneri ka drejtuar vetëm Real Madridin në dy periudha të ndryshme, fitoi tri Liga të Kampionëve me klubin spanjoll. Ai nuk ka ushtruar detyrë trajneri që nga viti 2021, por mbetet një nga opsionet më të përfolura për të marrë drejtimin e Francës pas Deschamps.