
Ishujt Faroe vazhdojnë të mbajnë gjallë ëndrrën për një kualifikim historik në Kupën e Botës, pasi arritën një fitore të bujshme 2-1 ndaj Republikës Çeke në Torshavn, duke regjistruar për herë të parë tre fitore radhazi në eliminatoret e një cikli.
Kjo fushatë tashmë është një sukses historik për skuadrën e drejtuar nga Eydun Klakstein, e cila për herë të parë arrin tre fitore në kualifikueset e një Botërori. Ishujt nisën ndeshjen me besim, ndërsa tentativa e parë e Arni Frederiksberg u bllokua që në minutat e para. Për kombëtaren çeke, e renditur në vendin e 39-të në renditjen e FIFA-s — plot 97 pozicione më lart se vendasit — kjo ndeshje po rezultonte gjithçka tjetër veçse e lehtë, teksa nuk po arrinin të thyenin një mbrojtje të pathyeshme.
Matej Vydra pati një rast të artë për të zhbllokuar rezultatin para fundit të pjesës së parë, pas një aksioni të rrjedhshëm nga çekët, por goditja e tij përfundoi jashtë kuadratit. Më pas, Vaclav Jemelka u shfaq i lirë në zonë për të përfunduar një kros të harkuar nga Vaclav Çerny, por goditja përfundoi mbi traversë, në një pjesë të parë ku të dyja skuadrat nuk regjistruan asnjë goditje në portë.
Frederiksberg ishte lojtari i parë që testoi portierët, me një gjuajtje të fuqishme me të majtën nga krahu i djathtë, por Matej Kovar reagoi mirë dhe grushtoi topin, tre minuta para orës së lojës. Vendësit nisën të ëndërronin dhe ëndrra mori formë kur Hanus Sorensen çoi në ekstazë stadiumin me një përfundim të shkëlqyer me një prekje të vetme, pas një pasimi preciz nga Jákup Andreasen në zonë.
Adam Karabec riktheu përkohësisht baraspeshën për skuadrën e Ivan Hashek, duke shfrytëzuar një top të lirë në zonë pas një aksioni të rrëmujshëm. Por fundi rezervoi edhe një përmbysje të fundit: një gabim katastrofik në mbrojtjen çeke i dha mundësinë Martin Agnarsson të dërgonte topin në rrjetë dhe t’i rikthente avantazhin vendasve.
Çekët shtuan presionin për të shmangur një disfatë turpëruese, por nuk arritën të gjenin golin e dytë, duke pësuar kështu humbjen e parë historike përballë Faroeve. Skuadra e Klakstein ka humbur vetëm një nga shtatë ndeshjet e fundit në shtëpi (3 fitore, 3 barazime), dhe tashmë është vetëm një pikë larg Çekisë në garën emocionuese për dy vendet e para në grup.