
Në përmbyllje të javës së tretë në Superligën e Kosovës në hendboll për femra, të hënën në Banjë është zhvilluar sfida ndërmjet kampionit në fuqi, Istogut, dhe Besës së Pejës. Në një përballje të fortë, Istogu arriti të marrë fitoren e dytë sezonale, duke triumfuar me rezultat 28:24.
Ndeshja ishte e barabartë gjatë pjesës së parë, e cila u mbyll me epërsi minimale të vendasve, 13:12. Megjithatë, në pjesën e dytë Istogu tregoi më shumë qartësi dhe efikasitet, duke ndërtuar epërsinë përfundimtare prej katër golash.
Joneide Balo Olikaka udhëhoqi listën e golashënueseve për Istogun me shtatë realizime, e ndihmuar nga Nihed Limem me gjashtë gola dhe Farida Mabrouk me pesë.
Në anën tjetër, pavarësisht humbjes, Besa pati performancë të mirë nga Samanda Konjuhaj, e cila shënoi nëntë gola, dhe Klea Kelmendi që realizoi tetë.
Me këtë fitore, Istogu ruan ecurinë perfekte në kampionat pas dy ndeshjeve të zhvilluara, ndërsa Besa regjistroi humbjen e tretë radhazi në këtë fillim sezoni.