Italia sërish kampion bote në volejboll

italia
Italia

ITALIA e konfirmon dominimin në skenën botërore të volejbollit, duke u shpallur për herë të dytë radhazi dhe të pestën herë në histori kampione bote.

Në një finale emocionuese, italianët mposhtën Bullgarinë me rezultat 3-1 (21-25, 25-17, 17-25, 25-10), duke treguar forcë, përvojë dhe karakter. Fitorja përforcon statusin e Italisë si superfuqi në këtë sport.

Italia mposht Bullgarinë dhe fiton titullin e dytë radhazi botëror – i pesti në histori

Bottolo dhe Romano shkëlqejnë në triumfin italian

Italia është kampione bote në volejboll për meshkuj për vitin 2025! Përballë 15,682 tifozëve në finalen e madhe të zhvilluar të dielën në qytetin Pasay të Filipineve, të kaltërit dominuan Bullgarinë e re dhe ambicioze me rezultatin 3-1, duke rrëmbyer kurorën për herë të dytë radhazi dhe të pestën në histori.

Triumfet e mëparshme të Italisë në Kampionatin Botëror erdhën në vitet 1990, 1994, 1998 dhe 2022. Për Bullgarinë, kjo është medalja e dytë e argjendtë në këtë kompeticion pas asaj të vitit 1970.

Më herët gjatë ditës, Polonia fitoi medaljen e bronztë pasi mposhti Çekinë në katër sete.

Dominim italian pas një starti të balancuar

Pavarësisht gabimeve të shumta në shërbim, Bullgaria arriti të marrë një epërsi prej dy pikësh në mesin e setit të parë. Por më pas Italia mori kontrollin e ndeshjes, falë një serie prej pesë pikësh gjatë shërbimeve të Mattia Bottolos, duke e fituar setin me diferencë katër pikësh.

Në setin e dytë, Bullgaria rikuperoi një disavantazh prej pesë pikësh, por nuk arriti ta mbante ritmin. Yuri Romano, i cili shkëlqeu edhe në setin e parë, realizoi pesë “ace” radhazi, duke vulosur setin në favor të Italisë. Tre aksione më vonë, një tjetër “ace” nga Bottolo i dha Italisë epërsinë 2-0.

Bullgaria reagon, por Italia mbyll finalen në stil të madh

Në setin e tretë, risku në shërbim nisi të funksionojë për Bullgarinë, e cila mori kontrollin dhe dominoi setin me diferencë të theksuar. Martin Atanasov shënoi një “ace” për të çuar ekipin në pikë seti, ndërsa Asparuh Asparuhov e mbylli me një goditje të zgjuar.

Por Italia nuk lejoi kthesë në ndeshje. Me dy seri të shkëlqyera shërbimesh nga Bottolo, ata u shkëputën që në fillim të setit të katërt dhe nuk u kthyen më pas. Simone Anzani e përmbylli finalen me një goditje të fuqishme në qendër, duke vulosur fitoren 3-1 (25-21, 25-17, 17-25, 25-10).