
Kampionia në fuqi, Italia, kryeson 16 skuadrat që kanë kaluar në fazën me eliminim direkt të Kampionatit Botëror të Volejbollit për Meshkuj FIVB 2025, i cili nis të shtunën, më 20 shtator, në arenën Mall of Asia.
Italia do të përballet me Argjentinën, e cila vjen me moral të lartë pas fitores kundër kampiones olimpike në dy edicionet e fundit, Francës. Dy kombëtaret do të përballen të dielën, në orën 09:30.
“Jam shumë i lumtur, sepse duam të qëndrojmë këtu, duam të vazhdojmë të luajmë në këtë Kampionat Botëror”, tha Alessandro Michieletto i Italisë pas triumfit ndaj Ukrainës të enjten.
Para se kampionët në fuqi të zbresin në fushë, Polonia, e renditur numri 1 në botë, do të përballet me Kanadanë të shtunën në orën 14:00, ndërsa Turqia do të sfidojë Holandën në orën 09:30.
Në programin e së dielës është edhe Belgjika, që pas një serie fitoreje do të përballet me Finlandën në orën 14:00, në një duel mes dy ekipeve që hyjnë me besim të plotë në këtë fazë.
Të hënën, Shtetet e Bashkuara, të cilat konsiderohen ndër favoritët e tifozëve, do të masin forcat me Sloveninë në orën 14:00, ndërkohë që Bullgaria dhe Portugalia do të luftojnë për një vend në çerekfinale në ndeshjen e paraditës, 09:30.
E marta do të sjellë në fushë Tunizinë dhe Iranin, që kërkojnë të avancojnë në turne. Tunizia do të sfidojë Republikën Çeke në orën 09:30, ndërsa Irani, pas një fitoreje emocionuese ndaj Filipineve, do të kërkojë surprizën kundër Serbisë në orën 14:00.