Jalen Blesa, sulmues zone i rrezikshëm
Sulmuesi qendror Jalen Blesa (24 vjeç) nuk është më pjesë e Universitatea Craiova. Klubi rumun njoftoi zyrtarisht ndërprerjen e kontratës me lojtarin spanjoll, i cili kishte kontratë deri në qershor 2027.
Largimi i tij erdhi pas vendimit të trajnerit Mirel Radoi për të mos llogaritur më në shërbimet e tij, pavarësisht mungesës së alternativave në fazën ofensive.
Blesa iu bashkua Craiovas në shkurt të vitit 2024, pas një sezoni mbresëlënës te FC Prishtina në Superligën e Kosovës, ku kishte shënuar 10 gola dhe kishte dhuruar 5 asistime në 33 ndeshje. Pikërisht paraqitjet në kryeqytetin kosovar i hapën dyert drejt një transferimi ndërkombëtar në Rumani, shkruan Kërlaçki.

Megjithatë, ai nuk arriti të përshtatej në ekipin rumun dhe u huazua menjëherë në Gjeorgji, te Dinamo Batumi. Atje zhvilloi një sezon solid, me 9 gola dhe një asistim në 23 ndeshje, por kjo nuk mjaftoi që të siguronte një vend në skuadrën e Craiovas pas kthimit nga huazimi.
Në total, në fanellën e Craiovas, ai luajti vetëm 109 minuta të shpërndara në 4 ndeshje zyrtare, pa lënë gjurmë të veçanta.
Tashmë, si lojtar i lirë dhe me përvojë në disa kampionate evropiane, emri i Jalen Blesas mund të rikthehet në orbitën e futbollit kosovar.
Ai ka lënë një përshtypje të fortë në Prishtinë, ku ishte ndër lojtarët më të rëndësishëm ofensiv në sezonin 2023/24, ku Ballkani në atë kohë kishte menduar transferimin e tij.

A do ta shohim sërish Jalen Blesën në futbollin kosovar? A janë Ballkani dhe Prishtina opsione si një nga destinacionet e mundshme për rikthimin e tij?