Java e 10-të e Superiores: Starton me përballjen Tirana–Bylis, përmbyllet me sfidën Egnatia–Vllaznia

Kategoria Superiore e Shqipërisë i rikthehet këtë fundjavë emocioneve me ndeshjet e javës së 10-të, ku vëmendja do të jetë e shpërndarë në disa përballje të forta.

Tirana nis me trajnerin e ri ndaj Bylisit
Ndeshja hapëse e javës do të zhvillohet sot nga ora 14:00, ku Tirana, tashmë nën drejtimin e trajnerit të ri Ardian Nuhiu, do të përballet me Bylisin e Mirel Josës. Bardheblutë synojnë të nisin me këmbë të mbarë këtë fazë të re, ndërsa ballshiotët kërkojnë të vazhdojnë serinë pozitive pas fitores ndaj Vorës.
Dinamo–Teuta, përballja kryesore e ditës
Në orën 17:00 do të zhvillohet një nga sfidat më interesante e ditës së sotme: Dinamo – Teuta. Të dy skuadrat kanë objektiva të qarta për ngjitjen në renditje, dhe kjo ndeshje pritet të jetë një përballje e fortë taktike dhe emocionale.
Flamurtari sfidon Elbasanin në formë
Në të njëjtin orar (17:00), Flamurtari do të presë Elbasanin. Vlonjatët synojnë fitoren e dytë sezonale, por do ta kenë të vështirë përballë një skuadre që ka treguar formë të shkëlqyer në javët e fundit.
E mërkura, me dy duele të forta
Të mërkurën do të luhen dy ndeshjet e fundit të javës, të dyja duke nisur nga ora 16:00. Sfidën kryesore të javës e luajnë Egnatia dhe Vllaznia në Rrogozhinë – një duel direkt mes dy pretendentëve për titullin.
Ndërkohë, në Vorë, skuadra vendase do të ndeshet me Partizanin në një përballje që gjithashtu pritet të ofrojë rivalitet të lartë.
Java e 10-të e Superiores pritet të sjellë lëvizje interesante në renditje, me përballje që mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në objektivat sezonalë të secilës skuadër.

