Vetëm 12 javë kanë kaluar nga fillimi i edicionit të ri të Superligës së Kosovës, por duket se Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) tashmë po përballet me valë kritikash për menaxhimin e garës, vendimet administrative dhe qasjen ndaj rasteve të ndjeshme.
Mbrojtje për klube, jo për profesionistët
Në qendër të debatit është gjyqtari më i vlerësuar në vend, Genc Nuza, i cili duket se është lënë pa mbështetje institucionale nga FFK, në një kohë kur ndodhet nën presion publik. Në vend të qëndrimit në mbrojtje të integritetit të një arbitri të mirënjohur ndërkombëtarisht, FFK ka zgjedhur të marrë pozicion publik në favor të një klubi.
Protokoll “i përmirësuar”
Rast tjetër që ka ngritur shqetësime serioze është ndeshja Prishtina e Re – Drenica, ku protokolli zyrtar i ndeshjes është ndryshuar pak para përfundimit të takimit, saktësisht në orën 14:46. Kjo hedh hije të forta mbi transparencën dhe besueshmërinë e procesit të raportimit zyrtar në FFK.
Gjyqtar nga i njëjti rajon për ndeshje të ndjeshme
Një tjetër situatë që ka nxitur reagime është ajo në përballjen Dukagjini – Malisheva, ku u caktua një gjyqtar nga Peja – e njëjta zonë nga ku vjen njëra prej skuadrave. Një praktikë e tillë është jo vetëm e papërshtatshme, por edhe e rrezikshme për perceptimin e paanshmërisë, veçanërisht në ndeshje të karakterizuara si të “nxehta”. Kritikat janë shtuar edhe më shumë pas paraqitjes së dobët të gjyqtarit në fjalë.
Zgjedhja e lojtarit të javës
FFK është vënë në shënjestër edhe për përzgjedhjen e lojtarit të javës. Këtë titull e fitoi një futbollist që luajti 80 minuta në një ndeshje pa gola dhe ku, sipas raportimeve, në fushë u paraqit një lojtar që nuk ishte as pjesë e protokollit zyrtar! Ndërkohë, një tjetër futbollist, që shënoi dy gola si mysafir, u anashkalua krejtësisht.
Këto zhvillime të javës së 12-të kanë ngritur shumë pikëpyetje për drejtësinë dhe profesionalizmin në menaxhimin e kampionatit, duke rritur presionin mbi FFK-në për të reflektuar dhe për të rikthyer standardet e duhuara në garë.