Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka paralajmëruar se është ende shumë herët për të folur për titullin e Premier League, duke iu referuar formës së mirë të Arsenalit. Ai tha se, edhe pse një ekip nuk mund ta fitojë titullin në nëntor, mund ta humbasë atë nëse lëshon terren.
Në një konferencë për shtyp përpara ndeshjes ndaj Liverpoolit, Guardiola tha se nëse Arsenali vazhdon të jetë solid në mbrojtje dhe të mos pësojë gola, do të jetë thuajse e pamundur për rivalët që ta ndjekin. Por ai shtoi se gjithmonë ekziston mundësia që të humbasin pikë.
“Nëse vazhdojnë kështu, duke mos pranuar gola, do të jetë shumë e vështirë t’i kapësh. Por gjithmonë pret që të përmirësohesh vetë dhe që ata të lëshojnë pikë. Ajo që po bëjnë është e jashtëzakonshme dhe këtë e kanë treguar prej dy-tre sezonesh. Duket sikur çdo vit janë më afër. Por jemi ende në fillim të nëntorit – nuk mund ta fitosh titullin kaq herët. Mund ta humbasësh, por nuk mund ta fitosh.”
Aktualisht, Arsenali kryeson renditjen me 25 pikë, ndjekur nga Manchester City me 19 dhe Liverpooli me 18 pikë.