
Kryetrajneri i Shkëndijës, Jeton Beqiri, ka folur në prag të sfidës së parë të raundit Play-Off në Ligën së Evropës ndaj Ludogoretsit, duke vlerësuar rëndësinë e takimit dhe sfidat që skuadra po përballon në këtë periudhë intensive.
“Ndeshjet janë shumë pranë njëra-tjetrës dhe për shkak të nisjes së kampionatit, hapësirat për përgatitje nuk janë ideale. Megjithatë, ne jemi të detyruar që çdo përballje ta marrim me seriozitet maksimal, qoftë në arenën europiane apo në kampionat. Besoj se këtë po e realizojmë”, u shpreh Beqiri.
Ai vlerësoi lart kundërshtarët që Shkëndija ka pasur gjatë kësaj fushate evropiane: “Përveç ndeshjes së parë kundër TNS-së, kemi pasur përballje të vështira me ekipe si Steaua e Bukureshtit dhe Qarabag, ndërsa tani përballemi me Ludogoretsin – një tjetër skuadër me përvojë të madhe në Europë dhe pjesëmarrje të rregullta në fazat e grupeve.”
Beqiri u shpreh optimist për angazhimin e skuadrës: “Shpresoj që ekipi të japë maksimumin. Jam i bindur se do të kemi një paraqitje pozitive, pasi përveç ndeshjes me Qarabagun, në takimet e tjera kemi qenë në nivel të mirë.”
Ai komentoi edhe ndikimin e sistemit të ri të kompeticioneve europiane të përcaktuar nga UEFA: “Ndërrimi i strukturës ka bërë që futbollistët të ndiejnë më pak tension, pasi tanimë kemi të sigurt një pjesëmarrje në Ligën e Konferencës. Por kjo nuk do të thotë që duhet të ndalemi këtu – përkundrazi, synimi është të shkojmë më tej.”
“Edhe pse lodhja dhe dëmtimet e vogla janë të pashmangshme në këtë fazë, ne jemi të detyruar të japim gjithçka. Nesër do të përpiqemi të marrim një rezultat pozitiv dhe të përfaqësohemi sa më mirë”, përfundoi Beqiri.