
Sporti kosovar ka humbur një nga personalitetet e tij më të rëndësishme. Feriz Parllaku (68), gjyqtari i njohur i futbollit dhe hendbollit, ka ndërruar jetë, duke lënë pas një trashëgimi të madhe në sportin e Kosovës.
Parllaku ishte gjyqtar i kohëve të vështira, në vitet ’90 dhe pasluftë, kur mungonte siguria në stadiume dhe shpesh “i forti” mundohej të ndikonte në ndeshje. Në ato kushte, autoriteti i tij ishte vendimtar: ai nuk lejonte padrejtësi dhe mbeti sinonim i drejtësisë sportive. Përveç në fushë si gjyqtar futbolli, ai shërbeu edhe si gjyqtar hendbolli dhe më pas si kontrollor i gjyqtarëve, duke dhënë një kontribut të gjithanshëm.
Shumicën e kohës jetoi mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por sportit dhe në veçanti futbollit nuk iu nda kurrë. Ferizi i përkiste brezit të punëtorëve të palodhshëm të periudhës së rezistencës. Ai ishte gjyqtar i guximshëm, që përveç futbollit kontribuoi me të njëjtin përkushtim edhe në hendboll, sidomos në vitet e okupimit, kur sporti ishte formë e rezistencës ndaj pushtuesit serb.
Pavarësisht kërcënimeve dhe rrezikut të përditshëm, ai nuk u ndal asnjëherë. Profesionalizmi dhe trimëria e tij mbeten dëshmi e karakterit të fortë dhe dashurisë për sportin.
Parllaku nisi të gjykojë ndeshje hendbolli në vitin 1978, ndërsa në vitin 1985 mori thirrjen e gjyqtarit federativ. Një nga momentet historike të karrierës së tij ishte drejtimi i ndeshjes së parë të Kombëtares së Kosovës, kundër Egjiptit U21 në vitin 2002.
Me ndarjen nga jeta të Feriz Parllakut, Kosova humbi një nga gjyqtarët më të mirë në historinë e saj, por puna, sakrifica dhe përkushtimi i tij do të mbeten gjithmonë frymëzim për brezat që vijnë.
Për humbjen e tij kanë shprehur ngushëllime shumë institucione sportive, si të futbollit, ashtu edhe të hendbollit, të pikëlluara për ndarjen nga jeta të një figure kaq të madhe.