
Kosova e nisi me humbje të rëndë kualifikueset për Botërorin 2026, pasi u mposht 4-0 nga Zvicra në Basel. Pas ndeshjes, kapiteni Amir Rrahmani bëri vetëkritikë, duke theksuar se dështimi për të fituar “topin e dytë” i kushtoi shtrenjtë Dardanëve.
“Realisht, Zvicra i shfrytëzoi rastet që i pati pas gabimeve tona. Të gjitha rastet ndodhën në pjesën e parë. Që nga minuta e parë nuk arritëm ta fitonim topin e dytë, gjithmonë e fitonin ata. Prej aty nisnin aksionet e tyre dhe ne u tërhoqëm shumë prapa. Nuk ishim të kujdesshëm. Të gjitha rastet ishin pothuajse të njëjta, topi i dytë i humbur,” u shpreh mbrojtësi i Napolit.
Rrahmani u detyrua të largohej para kohe për shkak të një lëndimi, por shpreson që gjendja e tij të mos jetë serioze.
“Nesër do të bëjmë rezonancën për të parë se çfarë është,” tha ai.
“Duhet ta harrojmë sa më shpejt këtë ndeshje, t’i marrim nga ajo vetëm gabimet që kemi bërë dhe t’i përmirësojmë, duke u përgatitur për ndeshjen kundër Suedisë,” përfundoi ai.