Kapiteni Rron Broja, sa i mungoi Dritës ndaj Differdanges?

Kapiteni dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm të Dritës, Rron Broja, mungoi në përballjen ndaj kampionit të Luksemburgut, Differdange – mungesë që u ndje dukshëm në mesfushë.
Broja, një mesfushor me personalitet të jashtëzakonshëm dhe me rol thelbësor në të dy fazat e lojës, ishte një nga pikat kyçe të suksesit të Dritës në sezonin e kaluar, i cili u kurorëzua me titullin kampion.
Ai zhvilloi 34 ndeshje në të gjitha garat, duke kontribuar me 5 gola dhe 2 asistime, dhe menjëherë pas përfundimit të sezonit, rinovoi kontratën me klubin për edhe tri vite të tjera.

“Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë që kemi vazhduar me kapitenin Rron Broja edhe për tri vite të tjera”, njoftonte klubi i Dritës pak javë më parë.
Por ndaj Differdanges, Broja mungoi për shkak të pezullimit nga sezoni i kaluar, kur në sfidën ndaj Legia Varshavës kishte marrë dy kartonë të verdhë, duke u përjashtuar në minutën e 77-të të humbjes 1-0.
Në vend të tij, luajti Vesel Limaj, megjithëse nuk kishte pasur as një javë të plotë stërvitje me skuadrën. Kjo ndikoi dukshëm në performancën e Dritës, pasi mesfusha ishte pika më e dobët e ekipit në këtë ndeshje.

Se sa shumë i beson trajneri Zekirija Ramadani kapitenit të tij, e tregoi edhe më herët kur deklaroi se pa Brojën, Drita është si Man City pa Rodrin.
“Kemi Rron Brojën që meriton të ftohet te Kosova. Është motori i ekipit te ne, bën shumë mirë në çdo ndeshje. Ka kualitet, ka përvojë. Tiparet e tij nuk i shoh as te Rexhbeçaj e as te Demaku. Ndoshta nuk është estetik për tifozët, po i nevojshëm për trajnerët. Mos e boftë Zoti me na u lëndu ai, bëhemi më keq se City pa Rodrin”, kishte deklaruar Ramadani.
Broja do të jetë i gatshëm për sfidën kthyese në Luksemburg dhe pritet t’i rikthejë stabilitetin dhe ekuilibrin mesfushës së Dritës, që synon kalimin në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve.


