
Kastrioti ka shënuar një fitore të thellë ndaj Llapit në ndeshjen e mbetur të xhiros së pestë në Superligën e Kosovës në hendboll. Të mërkurën mbrëma, në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, vendasit dominuan duke fituar me rezultat bindës 51:30.
Që në pjesën e parë u bë e qartë se cilësia dhe ritmi ishin në anën e Kastriotit, i cili kontrolloi lojën dhe nuk i la hapësirë kundërshtarit të afrohej në rezultat.
Adonit Isufi shkëlqeu me 10 gola, ndërsa Felippe Teixeira kontribuoi me 8, dhe Ledri Mustafa me 7. Te Llapi, më efikasët ishin Fatlum Hasani dhe Etnik Bajoku me nga 6 gola, si dhe Rifat Visoka e Endrit Havolli me nga 5.
Me këtë fitore, Kastrioti arrin kuotën e 16 pikëve pas nëntë ndeshjeve të zhvilluara, duke u barazuar me Rahovecin, që mban vendin e parë për momentin për shkak të golaverazhit më të mirë.
Llapi, nga ana tjetër, mbetet në pozitën e gjashtë me 6 pikë pas nëntë xhirove të luajtura.
