Xhiro e tretë e Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll nis sot, me katër përballje tejet interesante që pritet të sjellin emocione dhe duele të forta në fushë.
Kryendeshja zhvillohet në Gjilan, ku skuadra vendase përballet me Prishtinën. Gjilanasit kanë grumbulluar vetëm një pikë në dy ndeshjet e para dhe tani kërkojnë fitoren e parë të sezonit.
Në anën tjetër, kryeqytetasit vijnë me moral të lartë pas dy fitoreve radhazi dhe synojnë të vazhdojnë serinë pozitive.

Edhe Ferizaj do të kërkojë pikët e plota në shtëpi, aty ku pret Ballkanin. Ferizajasit kanë filluar mbarë sezonin me gjashtë pikë të plota, ndërsa suharekasit ende nuk e kanë shijuar fitoren pasi kanë barazuar në dy duelet e para.
Një sfidë tjetër intriguese zhvillohet në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë, ku vendasit presin Dukagjinin – takim që pritet të ofrojë rivalitet dhe gola.
Ndërkohë, në Skenderaj, takohen dy skuadrat më të reja në elitën e futbollit kosovar: Drenica dhe Prishtina e Re, që do të synojnë të tregojnë forcën e tyre në një përballje direkte për mbijetesë.

Xhiro përmbyllet të hënën, me një tjetër ndeshje të madhe – Llapi përballet me Dritën, një duel që shpesh ka prodhuar emocione të veçanta në Superligë.
Të gjitha ndeshjet e kësaj xhiroje startojnë nga ora 16:30.
