KF Trepça po vazhdon me përforcimet me synimin e qartë për rikthim në Superligën e Kosovës, pas shumë vitesh mungese në elitën e futbollit kosovar. Klubi nga Mitrovica, i njohur si skuadra e “Xehëtarëve”, ka kaluar muaj të turbullt me ndryshime në stafin teknik – fillimisht duke larguar Emin Baliqin, më pas duke emëruar Edi Martin, dhe tani duke rikthyer sërish Baliqin në krye të pankinës.

Trepça ka prezantuar sot transferimin më të fundit, mesfushorin 22-vjeçar Diart Geci, i cili vjen nga FC Drenica. Ai ka qenë më herët pjesë edhe e përfaqësueses U19 të Shqipërisë, si dhe i ekipeve të të rinjve të Feronikelit.

Pak ditë më parë, skuadra njoftoi edhe afrimin e portierit shqiptar Kristian Rroku (22), ish-lojtar i KF Skënderbeut nga Korça, i cili është formuar në akademitë e njohura greke si Olympiacos, AEK Athens dhe Ionikos Nikeas.

Në mbrojtje është angazhuar edhe një tjetër ish-lojtar i Drenicës, mbrojtësi i majtë 24-vjeçar Ermal Veliçi, i cili ka përvojë edhe me klubet Prishtina dhe Vëllaznimi.


Nga Drenica është sjellë edhe mesfushori Gentian Imeri (21), ndërsa në krahun e djathtë të mbrojtjes është rikthyer Alban Kelmendi (22), i cili së fundmi ishte pjesë e rivalëve të qytetit, KF Mitrovica.

Në repartin ofensiv, Trepça ka siguruar shërbimet e sulmuesit me përvojë Rilind Haziraj (26), i cili më parë ka luajtur për klube si Drita, Fushë Kosova dhe Malisheva.

Përveç portierit Rroku, skuadra dy herë kampione e Kosovës ka angazhuar edhe një tjetër gardian të ri, Ridon Llugiqi, i cili vjen nga Ulpiana.
Përveç afrimeve të shumta, drejtuesit e Trepçës kanë rinovuar kontratat me disa prej lojtarëve që ishin pjesë e ekipit në edicionin 2024/25, duke krijuar një bazë solide për sezonin e ri.
Me këto lëvizje, skuadra e drejtuar nga Baliqi synon rikthimin në elitë dhe po ndërton një përzierje mes përvojës dhe talentit të ri për të qenë konkurrent serioz në edicionin e ardhshëm, deri sa po vazhdon edhe faza përgatitore në Banjë të Pejës.