Kika e Hogoshtit ka nisur kampionatin me fitore – goli i dytë, spektakël në 46 sekonda

Kika Hogosht
Kika Hogosht

Skuadra e Kikës nga Hogoshti ka nisur me fitore edicionin e ri në Ligën e Parë të futbollit kosovar, duke mposhtur KEK-un në javën e parë. Ajo që e bën këtë ndeshje të veçantë është mënyra se si u realizua goli i dytë – një aksion që zgjati plot 46 sekonda.

Kika, që gjatë viteve të okupimit ishte dy herë nënkampione e Kosovës kur futbolli zhvillohej në fusha të improvizuara, prej vitit 2000 nuk është më pjesë e Superligës. Megjithatë, në Ligën e Parë ka mbetur gjithmonë një kundërshtar i vështirë.

Edhe pse asnjëherë nuk ka pasur ambicie të qarta për t’u ngjitur në elitë, këtë sezon duket se gjërat po ndryshojnë. Nën drejtimin e trajnerit Sallah Sherifi, Kika nisi me një fitore bindëse ndaj KEK-ut, ndërsa vëmendjen e mori goli i dytë, i realizuar nga Harbin Reçica.

Aksioni që çoi te goli ishte një shembull i lojës kolektive dhe durimit – plot 46 sekonda skuadra mbajti topin në zotërim para se Reçica të finalizonte me sukses.

Sfida e radhës për KIK-ën është një përballje e vështirë në transfertë ndaj Vushtrrisë – një test serioz për ambiciet e këtij sezoni.