Kombëtarja rikthehet në Prishtinë pas turpërimit në Bazel, FFK pret reagim të hënën ndaj Suedisë

Amir Rrahmani
Amir Rrahmani

Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur se stafi teknik dhe lojtarët e Përfaqësueses janë të përqendruar dhe të vendosur të reagojnë me një paraqitje më të mirë në ndeshjen kundër Suedisë, pas humbjes 4:0 ndaj Zvicrës të premten në Bazel.

Sipas njoftimit të FFK-së, kombëtarja është kthyer pasditen e së shtunës në Prishtinë, ku futbollistët kanë zhvilluar një seancë rigjeneruese: ata që luajtën ndaj Zvicrës kanë kryer ushtrime në fitnes, ndërsa pjesa tjetër ka stërvitur lehtë në fushë.

“Kombëtarja dardane tashmë e ka lënë pas ndeshjen në Bazel dhe është e fokusuar tërësisht në sfidën e së hënës në stadiumin ‘Fadil Vokrri’. Po bëhet analiza e lojës së Suedisë dhe përgatitja sa më e mirë për një përballje jo të lehtë. Stafi dhe lojtarët janë të vendosur të japin maksimumin dhe të tregojnë një performancë më të mirë në fushë”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Kosova do ta presë Suedinë të hënën në mbrëmje në Prishtinë, në ndeshjen e dytë kualifikuese për Botërorin 2026.

Ndeshja fillon prej orës 20:45.