Italia triumfon ndaj Brazilit pas një beteje epike dhe siguron finalen e Botërorit

Italia do të përballet me Turqinë për titullin kampion në Kampionatin Botëror të Volejbollit për Femra.
Italia, kampione në fuqi olimpike, ia doli të mposhtë Brazilin në një përballje spektakolare me pesë sete dhe siguroi vendin në finalen e Kampionatit Botëror të Volejbollit për Femra „FIVB 2025“. Ato do të përballen me Turqinë të dielën, në orën 19:30 me orën lokale në Bangkok (12:30 GMT), ndërsa Brazili do të luajë për vendin e tretë ndaj Japonisë.
Ndeshja, e zhvilluar në palestrën e mbushur Huamark Indoor Stadium përpara 6 mijë tifozëve, u mbyll me fitoren 3-2 të italianeve (22-25, 25-22, 28-30, 25-22, 15-13), në një nga sfidat më të forta të turneut. Kjo ishte fitorja e parë e Italisë ndaj Brazilit në historinë e Kampionateve Botërore dhe njëkohësisht fitorja e 35-të radhazi që prej majit 2024.
#Thailand2025: 🇮🇹 Italy 3-2 Brazil 🇧🇷
A dramatic semifinal decided by the minimum margin in the tiebreak! 🔥 The Azzurre are back in the #WWCH final — their 3rd overall, returning after missing 2022. 👑
Ekaterina Antropova powered Italy with 28 points, while Gabi — Miss… pic.twitter.com/Z5Q6NONbvG
— Volleyball World (@volleyballworld) September 6, 2025
Heroina Antropova dhe Sylla shkëlqejnë për Italinë
Ekaterina Antropova, e futur në lojë në setin e parë për të zëvendësuar yllin Paola Egonu, realizoi një paraqitje të jashtëzakonshme me 28 pikë (20 goditje, 6 bllokime dhe 2 as). Ajo u shpreh pas ndeshjes:
“Ndjesia është e jashtëzakonshme. Ishte një ndeshje e jashpër dhe emocionuese, si për t’u parë ashtu edhe për të luajtur. Jam krenare për ekipin – nuk treguam gjithmonë lojën më të mirë, por qëndruam në garë deri në fund. Brazili ishte i mrekullueshëm, dhanë gjithçka në fushë. Tani duhet të rikuperohemi sa më shpejt sepse kemi një tjetër finale për të luajtur.”
Myriam Sylla kontribuoi me 21 pikë (19 goditje, 2 bllokime), ndërsa Egonu, e rikthyer në setin e fundit, përfundoi me 11 pikë.
Brazilit i mungoi vetëm një hap
Kapitenia braziliane Gabriela ‘Gabi’ Guimarães ishte më e mira e takimit me 29 pikë (27 goditje, 2 bllokime), e ndjekur nga Rosamaria Montibeller me 20 pikë, Diana Alecrim me 15 dhe Júlia Kudiess me 14.
Pas humbjes së dhimbshme, Gabi tha:
“Është e vështirë të humbësh një ndeshje të tillë – çdo detaj bënte diferencën. Bëra disa gabime në setin e pestë dhe do të doja të kisha ndihmuar më shumë ekipin. Jam shumë krenare për ne – luftuam deri në fund. Italia ishte e jashtëzakonshme dhe e meritoi fitoren. Luajtën me shumë lojtarë të ndryshëm dhe treguan qetësi nën presion. Tani duhet të fokusohemi për vendin e tretë – është shumë e rëndësishme të kthehemi në shtëpi me një medalje.”
Italia synon tripletën historike
Nëse fiton finalen kundër Turqisë, Italia do të bëhet skuadra e parë që mban njëkohësisht titujt Olimpik, të Ligës së Kombeve dhe Botëror. Ekipi tashmë ka të garantuar medaljen e katërt në një Kampionat Botëror, pas arit në 2002, argjendit në 2018 dhe bronzit në 2022.


