Komisioni i Garave mban sot mbledhje me klubet e Superligës, para fillimit të edicionit të ri

Komisioni i Garave
Komisioni i Garave

Dy ditë para nisjes së edicionit të ri të Superligës së Kosovës (2025/26), Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës do të zhvillojë një takim informues me përfaqësuesit e klubeve elitare. Qëllimi i këtij takimi është njoftimi me risitë dhe ndryshimet që pritet të aplikohen gjatë sezonit të ardhshëm.

Komisioni, i përbërë nga kryetari Abdyl Bellopoja dhe anëtarët Isak Ejupi e Armend Misini, ka vendosur të mbledhë klubet në këtë fazë të vonë, duke qenë se, sipas burimeve, një pjesë e klubeve ende janë të paqarta për çështje elementare të organizimit dhe rregullave të reja.

Një ndër risitë më të përfolura është propozimi që të gjitha ndeshjet e Superligës të luhen në të njëjtin orar, njësoj si edhe ato të Ligës së Parë në ditën tjetër – praktikë kjo që nuk është zbatuar ndonjëherë në historinë e futbollit kosovar, përveç tre javëve të fundit të sezonit.

Megjithatë, mbetet e paqartë se si do të realizohet transmetimi i pesë ndeshjeve në të njëjtën kohë dhe sa prej tyre do të mund të mbulohen në Ligën e Parë, e cila këtë sezon numëron 18 skuadra, duke e rritur ndjeshëm aktivitetin dhe nivelin e konkurrencës deri sa Artmotion ende nuk ka dhënë asnjë njoftim.

Po ashtu, një tjetër ndryshim i rëndësishëm është rikthimi i mënyrës së delegimit të gjyqtarëve sipas standardeve të FIFA-s, përmes emërimit direkt dhe jo më me short. Kjo metodë pritet të sjellë transparencë, por edhe sfida, pasi ekziston shqetësimi se mund të rikthehen praktikat e favorizimeve në delegime – një problem që më parë ishte tentuar të shmangej me sistemin e shortit.

Mbetet për t’u parë se sa efektive do të jenë këto ndryshime dhe si do të përballen strukturat organizative të FFK-së me sfidat e sezonit të ri.