Palestina
Siguria në “Santiago Bernabéu” për ndeshjen mes Real Madrid dhe Olympique Marseille ka qenë jashtëzakonisht e fortë, me masa më të ashpra se zakonisht për tifozët vizitorë.
Autoritetet spanjolle kanë kërkuar paraqitjen e detyrueshme të DNI-së ose pasaportës bashkë me biletën, janë kontrolluar deri edhe paketat e duhanit, si dhe veshjet e tifozëve përpara hyrjes në stadium.
Një nga masat më të komentuara ka qenë ndalimi i flamujve palestinezë. Disa tifozë të Marseille denoncuan se u detyruan t’i dorëzonin flamujt në hyrje, pasi sigurimi iu tha qartë: “Flamuri i Palestinës nuk hyn”. Gazetarët e pranishëm raportuan se flamujt përfunduan në kosh.
Sipas burimeve të sigurisë, ekziston një rregullore që ndalon shfaqjen e çdo elementi me përmbajtje politike, shoqërore, fetare ose tregtare, duke lejuar vetëm simbolet e mbështetjes sportive për skuadrat. Ky protokoll mbështetet nga Ligji kundër dhunës, racizmit, ksenofobisë dhe intolerancës në sport (2007), i cili ndalon futjen ose ekspozimin e banderolave dhe flamujve që mund të nxisin tensione.
Megjithatë, aplikimi i kësaj norme ka shkaktuar debat, pasi në këtë rast është ndaluar një simbol politik si flamuri palestinez, gjë që shumë tifozë e kanë konsideruar si masë disproporcionale.
Për sigurinë e takimit ishin angazhuar mbi 1.500 efektivë të policisë dhe forcave shtetërore.