
Përfaqësuesit e Kosovës kanë përfunduar garimin në Kampionatin Evropian për moshat nën 22 vjeç në beach volley, i cili u mbajt në Baden të Austrisë, duke u ndalur në fazën e grupeve dhe në ndeshjet për renditje.
Në kategorinë e meshkujve, dyshet kosovare Premtim Bytyqi dhe Plator Fetahu, nën drejtimin e trajnerit Albin Rexhepi, u përballën me sfida të forta në Grupin H. Ata u mundën me rezultat 0-2 në të tri ndeshjet e grupit: fillimisht nga Holanda, më pas nga Gjermania dhe në fund nga Letonia. Në ndeshjen për renditje nga pozitat 25-29, Kosova u përball me Izraelin, por pësoi sërish humbje 0-2, duke e përmbyllur kështu pjesëmarrjen në këtë rang.
Në konkurrencën e femrave, përfaqësueset Amela Llugaliu dhe Sara Pira, të udhëhequra nga trajneri Edon Ibrahimi, patën një grup po aq sfidues. Në Grupin E, ato pësuan tri humbje 0-2 ndaj Sllovenisë, Ukrainës dhe ekipit të dytë të Çekisë. Në ndeshjen për renditje, vajzat zhvilluan një përballje të ngushtë ndaj Turqisë, të cilën e humbën me rezultat 1-2.
“Megjithëse nuk arritën të sigurojnë fitore, pjesëmarrja në këtë kampionat përfaqëson një përvojë të vlefshme ndërkombëtare për sportistët e rinj, duke ofruar një bazë të fortë për zhvillimin e mëtejshëm të beach volley-t në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Federatës së Volejbollit.