
Kanë mbetur vetëm dy javë deri në startin e fazës së dytë dhe të fundit kualifikuese për Kampionatin Evropian 2026 në hendboll për femra.
Kombëtarja e Kosovës gjendet në një grup tepër sfidues, përballë superfuqive të këtij sporti.
Më 15 tetor, vajzat tona do të ndeshen me Francën, një nga kombëtaret më të fuqishme të hendbollit botëror. Franca, që ishte bartëse në vazon e parë, vjen si kampione e botës në fuqi dhe njëherësh kampione olimpike nga Tokio 2020, ndërsa në Paris 2024 arriti deri në finale. Përveç titullit të fundit botëror në vitin 2023, ajo e ka fituar Botërorin edhe në vitet 2017 dhe 2003, ndërsa ka luajtur edhe në katër finale të tjera. Në Kampionatin Evropian, francezet kanë qenë të katërta në vitet 2022 dhe 2024, ndërsa në vitin 2020 luajtën në finale dhe në 2018 e fituan trofeun. Përballja me Francën do të zhvillohet në Nimes.
Katër ditë më pas, më 19 tetor, Kosova do të ketë ndeshjen e parë në shtëpi, përballë Kroacisë. Takimi zhvillohet në ora 17:15, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Kroacia, edhe pse jo në nivelin e Francës, mbetet një kundërshtare shumë cilësore. Ajo ka marrë pjesë në dy Botërorët e fundit dhe tashmë është e kualifikuar edhe për kampionatin që do të mbahet këtë vit. Suksesin më të madh e shënoi në vitin 2020, kur e mbylli Evropianin në pozitën e tretë. Kroacia ka garuar gjithashtu edhe në Evropianin 2022 dhe 2024.
Për Kosovën, të dyja ndeshjet paraqesin sfida jashtëzakonisht të vështira. Kombëtarja është në proces rinovimi, me shumë lojtare të reja që do të kenë mundësinë të fitojnë përvojë të vlefshme duke u përballur me ekipe të këtij kalibri.
Në Grupin 1 bën pjesë edhe Finlanda, me të cilën Kosova do të ndeshet në mars të vitit të ardhshëm.