Kombëtarja e Kosovës në hendboll (meshkujt) zbret sot në fushë për ndeshjen e dytë ndaj Britanisë së Madhe, në kuadër të fazës së parë kualifikuese për Kampionatin Botëror “Gjermani 2027”. Takimi zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, duke nisur nga ora 17:15.
Pas fitores bindëse në ndeshjen e parë të luajtur të mërkurën në Derby të Anglisë, ku djelmoshat tanë triumfuan me rezultat 32:26, sot kërkohet një tjetër fitore për të siguruar kalimin në raundin e dytë kualifikues.
Selektori Jesper Ostlund dhe asistenti i tij, Jasmin Zhuta, kanë vlerësuar lart përkushtimin dhe punën e lojtarëve gjatë përgatitjeve, ndërsa atmosfera brenda ekipit është mjaft pozitive. Pas rikthimit nga Anglia, përfaqësuesja ka vijuar stërvitjet në Prishtinë dhe është gati për të dhënë maksimumin në sfidën vendimtare.
Mbështetja nga tribunat pritet të jetë një faktor shtesë për motivimin e ekipit. Tifozët janë ftuar të jenë pjesë e kësaj përballjeje të rëndësishme për të përkrahur ekipin që përfaqëson shtetin në skenën ndërkombëtare.
Kualifikimet evropiane për Botërorin e vitit 2027 zhvillohen në tri faza. Kjo është hera e gjashtë që Kosova merr pjesë në kualifikimet për një kampionat botëror. Finalja e madhe e këtij turneu do të zhvillohet në Gjermani, nga 13 deri më 31 janar të vitit 2027.