Kosova në prag të sfidës me Suedinë – Foda dhe Asllani të vetëdijshëm për vështirësinë e përballjes

Franco Foda - Fisnik Asllani
Franco Foda - Fisnik Asllani

Kombëtarja e Kosovës ka mbërritur në Suedi, ku të hënën mbrëma, nga ora 20:45, do të përballet me Suedinë në kuadër të xhiros së 4-të të Grupit B në kualifikimet për Kampionatin Botëror 2026.

Në konferencën zyrtare për media, trajneri Franco Foda dhe sulmuesi Fisnik Asllani folën për rëndësinë dhe vështirësinë e kësaj sfide, duke vlerësuar lart cilësitë e kundërshtarit, por njëkohësisht duke shprehur besim në kapacitetin e ekipit.

Franco Foda: Suedia është kundërshtar shumë i fortë, do të jetë ndeshje me intensitet të lartë

“Suedia është kundërshtar i fortë që luan futboll direkt dhe ka shumë cilësi në sulm me lojtarë si Isak, Gyokeres dhe Elanga, nëse luan. Jemi të vetëdijshëm që na pret një ndeshje shumë e vështirë, me intensitet të lartë dhe presing të vazhdueshëm nga ana e tyre. Por pavarësisht presionit, ne e dimë që kjo do të jetë një përballje ku duhet të tregojmë forcë dhe disiplinë”, u shpreh Foda.

Ai theksoi se suedezët nuk janë të rrezikshëm vetëm në kundërsulme, por edhe në posedim dhe presion të lartë në fushë.

“Duhet të luajmë kompakt dhe me kujdes në fazën mbrojtëse. Ky ka qenë çelësi i suksesit në të kaluarën ndaj tyre. Kur kemi qenë të përqendruar dhe të ngushtë në fushë, kemi arritur të shënojmë nëpërmjet kundërsulmeve. Kjo do të jetë mënyra jonë edhe këtë herë.”

Foda foli edhe për mungesat, duke konfirmuar se Rexhbecaj nuk do të jetë i gatshëm për shkak të lëndimit, ndërsa Fidan Aliti mungon për shkak të kartonëve të verdhë.

“Për fat të keq, numri i mungesave është rritur. Por kemi lojtarë cilësorë që mund të mbulojnë këto pozita. Duhet të ecim përpara me grupin që kemi.”

Fisnik Asllani: Duhet të tregojmë kualitetin tonë për të arritur rezultat pozitiv

Edhe sulmuesi Fisnik Asllani vlerësoi lart përballjen me Suedinë, duke theksuar se sfida do të jetë më e vështirë se ajo e parë.

“E kemi fituar ndeshjen e parë, por këtu do të jetë më e vështirë, sidomos kur luan si mysafir. Megjithatë, ne duhet të tregojmë cilësinë tonë në fushë për të synuar rezultat pozitiv.”

Asllani u shpreh i habitur që Suedia ka vetëm një pikë pas tre ndeshjeve, duke pasur parasysh kualitetin e tyre.

“Kanë një sulm jashtëzakonisht të fortë me Isak, Gyokeres, Elanga dhe të tjerë. Është ekip shumë i mirë, ndaj duhet të japim maksimumin për të përballuar një ndeshje që pritet të jetë jashtëzakonisht e vështirë.”