
Kombëtarja e Kosovës ka nisur sot përgatitjet për dy sfidat e para të ciklit të ri kualifikues për Kupën e Botës 2026: më 5 shtator kundër Zvicrës në Bazel dhe më 8 shtator ndaj Suedisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Në qendër të vëmendjes është sulmi i “Dardanëve”, që vjen në formën më të mirë të viteve të fundit.
Vedat Muriqi – lideri i sulmit, me një mesatare prej një goli në çdo dy ndeshje (28 gola në 56 paraqitje), e nisi ngadalë sezonin në La Liga, por në xhiron e tretë shënoi ndaj Real Madridit duke treguar nivel të lartë loje.
Kujtimet e tij me Kosovën janë të ëmbla, pasi në ndeshjen e fundit me fanellën “Dardane” kishte realizuar një het-trik ndaj Islandës.
Albion Rrahmani – është duke përjetuar formën e jetës me Sparta Pragën. Vetëm këtë sezon ka shënuar tetë gola, duke fituar zemrat e tifozëve çekë dhe duke tërhequr interesimin e Lyonit.
Kujtimet e tij me Kosovën janë po ashtu pozitive, pasi në dy miqësoret e qershorit ndaj Armenisë dhe Komoreve realizoi pesë gola.
Fisnik Asllani – e ardhmja e Kosovës. Sulmuesi i ri ka debutuar këtë sezon në Bundesliga me Hoffenheim, duke shënuar që në xhiron e parë ndaj Bayer Leverkusenit.
Edhe me Kosovën e ka gjetur rrjetën, duke realizuar kundër Komoreve në qershor.
Me Muriqin si lider, Rrahmanin në formë të jashtëzakonshme dhe Asllanin që po ngjitet me shpejtësi, Kosova i nis kualifikimet me një repart ofensiv të frikshëm dhe të motivuar për të bërë diferencën ndaj Zvicrës dhe Suedisë.