
Hendbollistet e Kombëtares së Kosovës grumbullohen të dielën në Prishtinë, ku në mbrëmje do të zhvillojnë edhe seancën e parë stërvitore, në prag të dy përballjeve të forta në kuadër të fazës së dytë kualifikuese për Kampionatin Evropian “Euro 2026”.
Kosova ndodhet në Grupin 1, së bashku me Francën, Kroacinë dhe Finlandën. Sfida e parë është parashikuar të zhvillohet të mërkurën në qytetin francez Nimes, ku “Dardanet” do të përballen me Francën. Më pas, të dielën e ardhshme, më 19 tetor, Kosova do të presë Kroacinë në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Franca, kundërshtari i parë i Kosovës, konsiderohet si ndër kombëtaret më të fuqishme në botë. Ajo është nënkampione olimpike në “Parisi 2024”, kampione aktuale e botës dhe gjysmëfinaliste e fundit e Evropianit. Edhe Kroacia mbetet një kundërshtar shumë cilësor dhe një nga përfaqësueset më të forta të vazos së dytë të shortit.
Megjithë vështirësitë, përfaqësuesja e Kosovës synon të paraqitet me dinjitet dhe të japë maksimumin në këto sfida. Selektori Agron Shabani do të duhet të përballet me mungesa të shumta në skuadër. Disa prej lojtareve kyçe të viteve të fundit nuk do të jenë të pranishme.
Kapitenia Leonora Demaj mungon për shkak të lëndimit, ndërsa motrat Marigona dhe Arlinda Hajdari janë tërhequr nga aktiviteti sportiv. Po ashtu, mungon Mirela Gjikokaj për arsye personale, ndërsa të lënduara janë Albina Rugova, Dafina Mustafa dhe Sara Gjergjaj. Në listën e mungesave është edhe Fitore Aliu.
Në këtë grumbullim janë ftuar disa lojtare të reja, të cilat pritet të shfrytëzojnë mundësinë për të treguar potencialin e tyre dhe për të fituar eksperiencë në arenën ndërkombëtare. Këto përballje me Francën dhe Kroacinë do të jenë një test i rëndësishëm për gjeneratën e re të hendbollit kosovar.
Skuadra do të udhëtojë drejt Francës të martën.