Kosova U20 mposhtet nga Holanda pas një ndeshjeje të fortë

Përfaqësuesja U20 e Kosovës në basketboll u paraqit denjësisht ndaj Holandës në ndeshjen hapëse të FIBA Kampionatit Evropian, Divizioni B, që po mbahet në Shkup të Maqedonisë së Veriut, por u mposht në fund me rezultat të ngushtë 57:61 (16:13, 12:17, 16:13, 13:18).
Ndeshja ishte e luftuar dhe me rivalitet të madh, me shumë ndryshime në rezultat gjatë katër çerekëve.
Kosova e nisi më mirë takimin, duke fituar çerekun e parë 16:13. Në çerekun e dytë, holandezët u treguan më konkretë, duke e fituar atë 12:17 dhe duke shkuar në pushim me epërsi minimale, 28:30.

Edhe në pjesën e dytë, Dardanët filluan më fuqishëm, duke krijuar epërsi deri në 44:37, por Holanda reagoi shpejt me gjashtë pikë radhazi dhe e ngushtoi rezultatin në 44:43 pas tre çerekëve.
Në dhjetë minutat e fundit, Holanda rimori avantazhin në 52:57, ndërsa Kosova arriti ta afrojë rezultatin në 57:59. Megjithatë, në sekondat e fundit, përfaqësuesja jonë nuk ishte e saktë në gjuajtje dhe ndeshja u mbyll me humbje 57:61.
Në radhët e Kosovës u dalluan Enes Gashi me 14 pikë dhe nëntë kërcime, si dhe Egzon Fazliu me 12 pikë dhe tetë kërcime.
Ndeshja e ardhshme e Kosovës do të luhet të premten ndaj Kroacisë, me fillim nga ora 11:00.
