Kalo te përmbajtja
Wednesday, 24 June 2026
Futboll Vendi

Kosova U20 triumfon edhe në miqësoren e dytë ndaj Katarit

Kombëtarja e Kosovës U20 ka përmbyllur me sukses serinë e dy ndeshjeve miqësore ndaj Katarit, duke regjistruar edhe fitoren e dytë në përballjet e zhvilluara në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Dardanët e rinj, nën drejtimin e përzgjedhësit Bekim Isufi, dominuan në ndeshjen e sotme, duke triumfuar me rezultat të pastër 3:0.

Kosova U20a 1

Ndeshja u zhbllokua herët, në minutën e 9-të, me golin e Omer Bajraktarit, i cili dyfishoi epërsinë në minutën e 31-të, duke realizuar dopietë. Fitoren e vulosi Ruel Limani në minutën e 59-të, duke siguruar një mbyllje dinjitoze të grumbullimit.

Të dyja përballjet u zhvilluan në kuadër të programit “UEFA Together”, që synon të nxisë shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin sportiv mes federatave anëtare të UEFA-s.

Pas ndeshjes, përzgjedhësi Isufi u shpreh i kënaqur me angazhimin dhe performancën e skuadrës:
“Ka qenë një përvojë shumë e mirë. I dhamë mundësi të gjithë futbollistëve dhe pamë se kemi kualitet. Kjo moshë nuk ka pasur më parë një kombëtare të dedikuar, ndaj do të mundohemi të organizojmë edhe ndeshje të tjera miqësore.”

Nga ana e tyre, futbollistët e Kosovës theksuan rëndësinë e këtij grumbullimi.

Kosova U20c

Gentian Dushaj: “Kam shumë qejf të luaj për Kombëtaren e Kosovës. Kemi marrë komente të mira, jemi afruar si grup. Organizimi dhe stërvitjet kanë qenë në nivel. Shpresoj për ftesa në U21 ose Kombëtaren A.”

Lorent Ademi: “Këto dy ndeshje ishin shumë të rëndësishme. Fitoret na dhanë motivim. Mësuam shumë dhe mezi presim paraqitjet e ardhshme.”

Edhe futbollistët e Katarit u shprehën të kënaqur me mikpritjen dhe kushtet në Kosovë, duke shprehur dëshirën për t’u rikthyer në të ardhmen.

Kosova U20 1