Kosova U21 e gatshme për fitoren e parë në kualifikime, Tovërlani kërkon kujdes ndaj San Marinos

Afrim Tovërlani
Afrim Tovërlani

Kombëtarja U21 e Kosovës do të zhvillojë nesër ndeshjen e saj të tretë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2027, ku në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë do të përballet me përfaqësuesen e San Marinos.

Kosova U21 – San Marino U21
14 tetor 2025, ora 18:00
Stadiumi “Fadil Vokrri”, Prishtinë

Pavarësisht se kjo përballje shihet si një mundësi ideale për të arkëtuar pikët e para në grup, përzgjedhësi Afrim Tovërlani ka kërkuar qasje të matur dhe disiplinë maksimale nga ekipi i tij.

“Jam i vetëdijshëm që i gjithë opinioni do të na kritikojë nëse nuk e mposhtim San Marinon. Duhet të jemi të kujdesshëm, sepse synojmë vendin e dytë në këtë grup. Nuk ka ndeshje të lehta dhe kundërshtarë të lehtë”, ka deklaruar Tovërlani në konferencën për shtyp.

Në grupin ku bëjnë pjesë edhe Spanja dhe Rumania, ai vlerësoi lart paraqitjet e skuadrës deri tani, por kërkoi që ndaj San Marinos të tregohet seriozitet maksimal.

“Do të ndryshojmë formacionin, sepse është ndryshe të luash me Spanjën dhe ndryshe me San Marinon. Futbollistët e kanë kuptuar që me disiplinë dhe përkushtim duhet t’i qasemi çdo ndeshjeje.”

Tovërlani konfirmoi gjithashtu se mesfushori Arianit Hasani nuk do të jetë i gatshëm për këtë ndeshje, për shkak të një lëndimi që e ka detyruar të rikthehet në klubin e tij.

Igball Jashari
Igball Jashari

Në të njëjtën konferencë, edhe mesfushori i Drenicës, Igbal Jashari, theksoi se Kosova ka zhvilluar dy ndeshje të mira deri tani dhe se ndaj San Marinos duhet të konfirmohet progresi i ekipit.

“Dy ndeshjet e kaluara kundër Rumanisë dhe Spanjës i kemi zhvilluar mirë, kemi treguar paraqitje pozitive. Golat i kemi pësuar si pasojë e gabimeve tona. Nesër, ndaj San Marinos, shpresoj të arrijmë një rezultat pozitiv, sepse jemi një grup i mirë dhe duhet ta tregojmë këtë në fushë”, tha Jashari.

Kosova U21 ka një pikë nga dy ndeshje – barazim pa gola në udhëtim ndaj Rumanisë dhe humbje 1-3 ndaj Spanjës në Prishtinë. San Marino, ndërkohë, ka pësuar humbje 2-0 në një miqësore të zhvilluar së fundmi ndaj Shqipërisë U21 në Tiranë.