Ku janë zhdukur trajnerët francezë? Rënia e një fuqie dikur dominuese në bankinat e futbollit europian

Zinedine Zidane dhe Arsene Wenger
Zinedine Zidane dhe Arsene Wenger

Vetëm një dekadë më parë, të shihje një trajner francez në krye të një klubi elitar europian ishte diçka krejt normale – madje një shenjë cilësie, thekson The Athletic, përcjellë Kërlaçki.

Arsene Wenger vazhdonte të ishte një institucion te Arsenali, Zinedine Zidane sapo kishte marrë drejtimin e Real Madrid dhe do ta udhëhiqte drejt tre titujve radhazi në Champions League, ndërsa Remi Garde kalonte nga Lyoni në Aston Villa.

Në atë periudhë, trajnerët francezë lulëzonin edhe jashtë vendit, Rudi Garcia impresiononte me Romën (sot trajner i Belgjikës), Valerien Ismael drejtonte Wolfsburgun, Claude Puel ishte te Southampton, ndërsa Didier Deschamps forconte kombëtaren franceze. Në Ligue 1, dominimi ishte total: në sezonin 2015/16, 19 nga 20 klubet drejtoheshin nga trajnerë francezë.

Sot, situata ka ndryshuar rrënjësisht. Në pesë ligat kryesore të Europës, vetëm Patrick Vieira përfaqëson Francën jashtë kufijve, në stolin e Genoas në Serie A. Pyetja është: si u zhduk kjo fuqi dikur e kërkuar?

Licencimi i shtrenjtë dhe sistemi rigjid

Një nga arsyet kryesore është kostoja e lartë dhe kriteret e ashpra për marrjen e BEPF – diploma më e lartë e trajnerit në Francë, ekuivalente me UEFA Pro Licence. Çdo vit pranohen pak kandidatë dhe për të hyrë në kurs, ish-lojtarët duhet të kenë ose pesë vite eksperiencë si trajner profesionist, ose të paktën 150 ndeshje në Ligue 1, ose 10 ndeshje me kombëtaren, plus diploma të mëparshme të nivelit të lartë. Kostoja? Rreth 60 mijë euro.

Shumë ish-yje francezë zgjedhin rrugën britanike, përmes programit të Federatës së Uellsit, ku çmimi është vetëm 14,300 euro. Në këtë rrugë kanë kaluar Patrick Vieira, Thierry Henry, Marcel Desailly, David Ginola dhe Gael Clichy.

Mosha e vonë dhe perceptimi i prapambetur

Sipas Claude Puel, në Francë trajnerët e rinj arrijnë në nivelin më të lartë shpesh pas moshës 45 vjeç, ndërkohë që në vende të tjera mund të drejtojnë klube elitare që në moshën 27-28 vjeç. Deri atëherë, në sytë e punëdhënësve ndërkombëtarë, ata perceptohen si të kenë kaluar kulmin.

Laurent Blanc
Laurent Blanc

Nga guximi tek frika për vendin e punës

Legjendat si Michel Hidalgo, Jean-Claude Suaudeau apo vetë Wenger në vitet e para te Monaco dhe Arsenal njiheshin për futbollin ofensiv e inovativ. Sot, trajnerët francezë shpesh zgjedhin qasje të kujdesshme e pragmatiste, të frikësuar se një dështim i vetëm mund t’u mbyllë dyert përfundimisht.

Didier Deschamps është shembulli më i qartë, i suksesshëm në rezultate (Botërori 2018, finale Euro 2016, finale Botërori 2022), por shpesh i kritikuar për stilin mbrojtës dhe mungesën e spektaklit.

Mungesa e prezencës ndërkombëtare dhe e rrjeteve të forta

Një zyrtar anonim i Premier League ka thënë për The Athletic se trajnerëve francezë shpesh u mungon gjuha dhe karizma për t’u bërë figura tërheqëse për tifozët dhe median. Në sistemin francez, aftësitë mediatike dhe gjuhësore nuk janë prioritet.

Ndërkohë, trajnerët portugezë po i marrin vendet e tyre. Ata mbështeten në rrjetin e fuqishëm të Jorge Mendes dhe promovohen nga Shoqata Portugeze e Trajnerëve, e cila organizon forume, fushata dhe lobim aktiv për anëtarët e saj. Në Francë, kjo lloj uniteti mungon.

Globalizimi dhe pronarët e huaj

Sot, shumica e klubeve të Ligue 1 janë në pronësi të huaj. Këta investitorë priren të zgjedhin trajnerë nga rrjetet e tyre ndërkombëtare, shpesh duke lënë mënjanë emrat vendas. Edhe trajnerët që kanë sukses nuk janë të sigurt: Pierre Sage e ringjalli Lyonin në fund të 2023, por u zëvendësua shpejt nga portugezi Paulo Fonseca.

Në bankinat e elitës franceze sot shohim emra si Luis Enrique (PSG), Roberto De Zerbi (Marseille), Adi Hutter (Monaco) dhe Fonseca (Lyon) — ndërsa trajnerët francezë ndihen më të përjashtuar se kurrë.