Burim Hatipi
Nuk janë të rralla rastet kur në FC Prishtina kanë luajtur nga dy vëllezër; ka pasur edhe raste kur kanë luajtur në të njëjtat edicione dhe në shumë ndeshje së bashku.
Burim dhe Blerim Hatipi kanë qenë vëllezërit e parë që kanë veshur fanellën e njëjtë të ekipit më të madh në Kosovë. Burimi është shndërruar në legjendë të bardhekaltërve, ndërsa Blerimi ka arritur deri te ekipi i parë pa lënë shumë gjurmë, megjithëse me shumë talent, në fund të viteve ’60 dhe fillim të viteve ’70.

Është dashur të kalojnë shumë vite nga ajo kohë derisa vëllezërit rugovas Muriqi, Fadili dhe Xhevdeti, të luanin shumë ndeshje së bashku. Pothuajse në të njëjtën kohë janë paraqitur edhe vëllezërit gjakovar, Ibrahim dhe Faton Domi. Fatoni Domi, i cili, së bashku me ish-yllin tjetër të Prishtinës, Favzi Rama, humbi jetën në një aksident tragjik në magjistralen Gjakovë–Klinë. Njëri luante për Lirinë e Prizrenit, tjetri për Vëllaznimin e Gjakovës.

Në vitet ’80 dhe në fund të kësaj dekade, në skuadër ishin paraqitur vëllezërit Gjinali nga Liria e Prizrenit, Bedredin dhe Behajdin Gjinali. Këta nuk ishin vëllezërit e vetëm prizrenas.


Në fund të viteve ’80, u paraqitën edhe vëllezërit prishtinas Keçi. Sunaji, njëri ndër më të talentuarit që ka shkelur fushën e blertë të stadiumit të kryeqytetit, kishte lënë gjurmë edhe në Ligën e Parë të Jugosllavisë në moshë shumë të re, ndërsa Suadi, vëllai i tij i vogël, u aktivizua në fushat djerrinë gjatë okupimit.

Në të njëjtën kohë, llapjanët prishtinas, Fadil Berisha kishte debutuar si talent i madh që në Ligën e Parë të ish-Jugosllavisë. Fadili vetëm dy herë – shkurt – kishte ndërruar skuadër: në Shkëndijën e Tetovës në vitet ’90 dhe për 6 muaj në vitin 1997 te Besiana e Podujevës. Karrierën e përfundoi në Prishtinë, ndërsa si trajner i saj fitoi Kupën e Kosovës. Burimi, vëllai i vogël, kishte luajtur gjatë okupimit dhe pas luftës, duke fituar trofe me skuadrën bardhekaltër.
Fadil Vokrrin nuk ka shqiptar dhe pjesëtar të etnive të tjera të ish-Jugosllavisë të viteve ’80 që nuk e njeh. Ndërsa Adili, vëllai i tij i vogël, pati arritur të luante një sezon të plotë për skuadrën e Prishtinës në Ligën e Dytë të Jugosllavisë, në edicionin 1990/91.

Më vonë, gjatë okupimit dhe pas luftës, titullarë të padiskutueshëm u bënë vëllezërit llapjanë Humolli, Milaimi dhe Florimi – ky i fundit ndër më jetëgjatit në skuadrën bardhekaltër me çdo statistikë të mundshme.
Pak më vonë spikatën edhe vëllezërit gollakas nga Prishtina, Krasniqi – Dritoni, tani drejtor sportiv i skuadrës, dhe vëllai i tij Artani, i njohur me nofkën “Figo”.

Në të njëjtën kohë, u paraqitën edhe vëllezërit Ahmeti, Azemi dhe Berati. Ky i fundit me pak paraqitje, edhe pse jashtëzakonisht i talentuar, por Azemi është figura qendrore e skuadrës pas luftës, me paraqitje, gola të shënuar dhe trofe të fituar.
Me vëllezërit Humolli, Krasniqi dhe Ahmeti, pothuajse në të njëjtën kohë ishin paraqitur edhe vëllezërit Skeraj nga Prizreni. Shqiproni, mbrojtësi i djathtë i skuadrës, ishte futbollisti i parë në historinë e transferimeve që nga vitet ’90 që u shit në ndonjë skuadër – konkretisht në Greuther Fürth të Gjermanisë. Agroni, ndërkohë, një sulmues i shpejtë, kishte arritur të linte gjurmë në skuadrën e trajnerit Afrim Toverlani. Krejtësisht në të njëjtën kohë ishin edhe vëllezërit Begolli, Gentriti dhe Graniti.

Ndërkohë, historia e vëllezërve Taipi është më ndryshe. Ata vijnë nga rajoni i shtypur i Luginës së Preshevës, në Bujanoc, dhe futbolli për ta ka qenë një ëndërr për të arritur më larg, drejt sigurimit të një jete më të mirë.
Gjelbrimi (32) dhe Shqiprimi (28), që të dy, në periudha të ndryshme, kanë veshur fanellën bardhekaltër. Bujanoci dhe Lugina e Preshevës në vitet ’80, ashtu si të gjitha trevat shqiptare në ish-Jugosllavi, kanë qenë tifozë të zjarrtë të skuadrës nga kryeqendra e Kosovës.

Ndërsa shumë të rralla janë rastet kur në skuadër kanë luajtur babë e bir. Ndër të paktët janë futbollistët vushtrrias: Sabit Dallku në fundvitet ’70, ndërsa Armend Dallku në fillimvitet 2000 – si kur e përfundoi karrierën, ashtu edhe kur e nisi zanatin e trajnerit – në FC Prishtina.
Sqarim: Mund të ketë edhe të tjerë me episode sporadike, por redaksia e Kërlaçkit nuk i ka harruar me qëllim të caktuar. Për çdo gabim të lëshuar, ju lutemi të na shkruani në email apo në koment në rrjetet sociale.