Lionel Messi shpall Diego Maradonën si “GOAT” të futbollit dhe ndan emrat e sportistëve që admiron më së shumti.
Superylli argjentinas Lionel Messi ka deklaruar se Diego Maradona është “GOAT” i vërtetë i futbollit — më i miri i të gjitha kohërave. Në një intervistë për NBC, Messi tha se për të, Maradona nuk ishte vetëm një ikonë kombëtare, por një legjendë që “e kaloi çdo kufi”.
Përtej fushës së futbollit, kapiteni i Inter Miami ndau emrat e sportistëve që më së shumti e kanë frymëzuar. Në basketboll, ai veçoi Michael Jordan si më të madhin, ndërsa për periudhën moderne përmendi LeBron James dhe Stephen Curry, duke theksuar se të dy kanë ndryshuar mënyrën se si luhet sporti i tyre.
Edhe tenisi nuk mbeti jashtë listës së admirimit. Messi përmendi “treshen e artë” – Roger Federer, Rafael Nadal dhe Novak Gjokovic – për dominimin e tyre të vazhdueshëm dhe për rivalitetin që e ka ngritur sportin në nivele historike.
Lidhur me fitoren e Kupës së Botës me Argjentinën në vitin 2022, Messi tha se e sheh si realizimin më të madh të karrierës: “Ëndrra ime gjithmonë ka qenë të bëhem kampion bote”, tha ai.
I pyetur për pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2026, Messi pranoi se ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.