Kalo te përmbajtja
Wednesday, 17 June 2026
Futboll Vendi

Kuvendi i Klubit Vushtrria mblidhet sonte – Pritet emërimi i kryetarit të ri

Sonte nga ora 19:00 do të mbahet Kuvendi i Klubit të Futbollit Vushtrria, një takim ky që pritet të sjellë emërimin e udhëheqësit të ri të klubit.

Gjatë 24 orëve të fundit, dy emra kanë qarkulluar si kandidatë potencialë për postin e kryetarit: Burim Dibrani dhe Besar Zahiti. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që në minutat e fundit të propozohet edhe ndonjë emër tjetër.

Në një qytet si Vushtrria, ku interesat shpesh ndërthuren në mënyrë të ndërlikuar, nuk është e pazakontë që emri i kryetarit të ri të mbetet i panjohur deri pak para mbledhjes.

Përplasjet ndërmjet grupeve të ndryshme të interesit kanë ndikuar në mbarëvajtjen e klubit, i cili është përballur me sfida financiare dhe borxhe të akumuluara – sfida që nuk kanë mundur të zgjidhen plotësisht as nga biznesmeni i njohur Shaip Mikullovci.

Prej kohësh, është kërkuar një konsensus për drejtimin e Organizatës Joqeveritare që menaxhon klubin. Krahas përpjekjeve për të zgjedhur udhëheqësin e ri, është paralajmëruar edhe përfshirja e disa figurave me ndikim në mbështetje të klubit, përfshirë sërish Shaip Mikullovcin dhe deputetin e PDK-së, gjeneralin në pension Rrahman Rama i cili përshkak angazhimeve politike mund të ketë pengesa ligjore të zgjedhet në organet e klubit.

Pritet që ky konfigurim i ri të sjellë stabilitet të paktën në aspektin financiar dhe t’i hapë rrugë një funksionimi më të qetë dhe të qëndrueshëm të klubit në të ardhmen.