
Edon Zhegrova mund të jetë pjesë e skuadrës së Lille për ndeshjen e së dielës ndaj Monacos, e cila zhvillohet nga ora 20:45, në kuadër të javës së dytë të Ligue 1.
Reprezentuesi i Kosovës nuk ka luajtur që nga dhjetori i vitit të kaluar, kur u paraqit për herë të fundit në barazimin 1:1 ndaj Marseilles si mysafir. Prej atëherë, ai ka qenë jashtë fushave për shkak të një lëndimi.
Trajneri i Lille, Bruno Genesio, në konferencën për shtyp të mbajtur të premten, konfirmoi se Zhegrova i është bashkuar ekipit të parë këtë javë, duke nisur stërvitjet të martën. Ai shtoi se lojtari kishte ndier pak lodhje të enjten, gjë që sipas tij është normale pas kthimit në një ritëm më të lartë stërvitor.
“Edon u bashkua me skuadrën të martën. Të enjten kishte pak lodhje, gjë që është e kuptueshme pasi intensiteti është më i madh me ekipin e parë sesa me të rinjtë. Është e mundur që të jetë pjesë e skuadrës për ndeshjen e së dielës, nëse është plotësisht i gatshëm si të gjithë lojtarët tjerë,” u shpreh Genesio.
Deri tani, Zhegrova ka stërvitur me ekipin e dytë të Lille. Ai vazhdon të lidhet me një transferim të mundshëm te gjiganti italian Juventus.