Leotrim Krasniqi

Leotrim Krasniqi

Dinamo e Ferizajt ka arritur një fitore të madhe ndaj Vëllaznimit me rezultat 2:1, duke i dhënë fund një serie prej tri ndeshjesh pa fitore. Pas përfundimit të takimit, trajneri i skuadrës, Leotrim Krasniqi, është shprehur për Kërlaçki i kënaqur me paraqitjen e ekipit dhe karakterin e treguar.

“Jam shumë i kënaqur me këtë fitore, sidomos duke qenë një ndeshje derbi dhe duke ardhur pas një periudhe të vështirë për ne”,  deklaroi Krasniqi për Kërlaçki.

“Kjo fitore është rezultat i punës dhe karakterit të djemve, të cilët nuk kanë reshtur së besuari dhe punuari edhe kur rezultatet nuk po vinin. Sot e treguam që ky ekip ka shpirt dhe dëshirë për të reaguar.”

Trajneri ferizajas theksoi gjithashtu se ky duhet të jetë vetëm fillimi:
“Nuk duhet të kënaqemi me një fitore. Kjo ndeshje duhet të jetë një pikë kthese për ne dhe një shtysë për të vazhduar me përulësi dhe punë të madhe. Respekt maksimal për kundërshtarin – ishte një ndeshje e fortë dhe e luftuar deri në fund.”

Në javën e 12-të, Dinamo do të përballet në udhëtim me Besën në Pejë, një tjetër sfidë që mund të ndikojë në ngjitjen e skuadrës në renditje dhe në vazhdimësinë e formës pozitive.