Feronikeli - Vëllaznimi

Të shtunën zhvillohen të gjitha ndeshjet e javës së fundit të fazës së parë në Ligën e Parë të Kosovës, me fillim nga ora 13:00. Vëmendja kryesore është përqendruar në Drenas, ndërsa Kërlaçki do të përcjellë në kohë reale çdo ndryshim rezultati në të gjitha stadiumet.

Pa dyshim, sfida më e rëndësishme e javës së 18-të luhet në stadiumin “Rexhep Rexhepi”, ku Feronikeli, aktualisht në vendin e dytë me 36 pikë, përballet me Vëllaznimin e Gjakovës, i cili renditet i katërti me 34 pikë dhe pa kryetrajner. Takimin e parë mes tyre e kishin fituar gjakovarët me rezultat 4-2.

Po ashtu, në këtë javë zhvillohen dy derbi lokalë: në Prishtinë, ku 2 Korriku – që po përmirëson rezultatet dhe lufton për mbijetesë – përballet me Ramiz Sadikun, skuadër që ende nuk është dorëzuar nga gara për kreun.

Ndërsa në Ferizaj, Tefik Çanga, që ishte surpriza e fillimit të sezonit por ka pësuar rënie drastike në javët e fundit (vetëm një fitore dhe katër humbje në pesë ndeshje), pret Dinamon që erdhi nga një formë e mirë, por u ndal në fundjavë nga Liria.

Lideri i kampionatit, Vushtrria, që kryeson renditjen, është favorit absolut në përballjen ndaj Besës, skuadër e fundosur në fund të tabelës.

Edhe Trepça ’89 ndaj Prizrenit dhe Liria përballë Rilindjes 1974 pritet të kenë ndeshje më të lehta në letër – por në futboll gjithçka është e mundur.

Një ndeshje që parashikohet të jetë e barabartë është ajo në Istog, ku skuadra vendase përballet me Trepçën. Edhe pse mitrovicasit duken të dorëzuar për këtë edicion, vendasit kanë arsye për të luftuar, pasi ndodhen në pozita të pasigurta dhe për më tepër janë mposhtur rëndë në takimin e parë, me rezultat 4-1.

Vjosa – Suhareka pritet të jetë një përballje me intensitet të lartë, ndërsa sfida direkte për mbijetesë është ajo mes KEK-ut dhe Kikës.