Liridon Latifi
Prishtinasi i lindur, Liridon Latifi (31), mbrëmë ka shënuar supergol në ndeshjen kualifikuese të Ligës së Evropës për Shkëndijën kundër Ludogorets. Për Kerlacki.com: “Jemi në formë të lartë, shpresojmë ta mbrojmë rezultatin në Bullgari”.
Futbollisti prishtinas, Liridon Latifi, është prononcuar ekskluzivisht për Kerlacki.com pas fitores së madhe të Shkëndijës ndaj Ludogoretsit në Ligën e Evropës.
“Jo vetëm unë personalisht, por i gjithë ekipi po gëzojmë një formë të lartë. Këtë e kemi dëshmuar edhe në ndeshjet e mëparshme, ku arritëm të eliminojmë një skuadër si Steaua. Tani befasuam edhe Ludogoretsin, një ekip shumë i fortë, për të cilin nuk ka nevojë të flitet shumë. Ata do të na bëjnë shumë probleme në ndeshjen e kthimit, por shpresoj që të arrijmë ta mbrojmë rezultatin nga Shkupi”, tha Latifi.
Ai foli edhe për të ardhmen e tij:
“Kam edhe një vit kontratë me Shkëndijën dhe deri në verën e ardhshme do të jem pjesë e skuadrës. Pastaj do të shohim çfarë do të ndodh”, përfundoi Latifi.
Latifi, në minutën e 35-të të takimit ka shënuar një gol jashtëzakonisht të bukur, po aq të rëndësishëm, duke barazuar rezultatin kundër skuadrës favorite bullgare, Ludogorets. Besart Ibrahimi në minutën e 60-të ka konfirmuar fitoren dhe formën e mirë të skuadrës tetovare. Shkëndija tani ka siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës, ndërsa ka mundësi reale të sigurojë nivelin më të lartë në Ligën e Evropës, nëse nuk mposhtet në Bullgari pas një jave.
Ndërsa, Liridon Latifi dje ka regjistruar ndeshjen e 44-të në kompeticionet evropiane me shtatë skuadra të ndryshme.
Më së shumti ka me Skënderbeun, 19 paraqitje, pastaj pason Shkëndijën me 7 paraqitje, kurse 6 paraqitje ka me Vllazninë dhe Sheriff Tiraspolin e Moldavisë, 3 me Tiranën, 2 me Kukësin (si i huazuar nga Skënderbeu) dhe 1 me Puskás të Hungarisë.
13 paraqitje ka në kualifikimet e Champions (6 me Shkëndijën, 5 me Skënderbeun dhe 2 me Sheriff Tiraspolin).
22 ndeshje ka në Ligën e Evropës, 6 në grupe dhe 16 në kualifikuese – 14 me Skënderbeun (prej tyre 6 në grupe), 4 me Sheriffin, 2 me Kukësin dhe nga 1 me Shkëndijën dhe Puskásin.
9 ndeshje ka në kualifikimet e Ligës së Konferencës (6 me Vllazninë dhe 3 me Tiranën).
Latifi mbrëmë ka shënuar golin e 8-të në kompeticionet evropiane.
5 i ka shënuar me Skënderbeun (1 në kualifikimet e Champions dhe 4 në ato të Ligës së Evropës). Me golin e shënuar me Shkëndijën mbrëmë ka arritur në 2 për këtë skuadër – ndërsa njërin e ka shënuar në Champions, në kualifikime në Bukuresht ndaj FCSB-së dhe 1 e ka të shënuar në kualifikimet e Champions me Sheriffin.
Latifi ka regjistruar edhe 7 asistime, njërin prej tyre në këtë edicion me Shkëndijën.


