Trajneri i ri i Lirisë, Liridon Leci, ka debutuar me sukses në pankinën prizrenase, duke udhëhequr ekipin drejt një fitoreje bindëse 3-1 ndaj Istogut.
Pas ndeshjes, Leci u shpreh për Kërlaçkin se skuadra ka kapacitete për objektiva madhorë në këtë sezon:
“Liria natyrisht që ka ambicie të mëdha, sepse brenda kësaj skuadre ka shumë potencial. Në këtë kohë të shkurtër kemi parë vetëm gjëra pozitive dhe motivim nga lojtarët. Ndryshuam disi edhe sistemin e lojës në krahasim me ndeshjet e kaluara, dhe reagimi ishte shumë i mirë.”
Pas javës së 9-të, Liria renditet në vendin e 8-të me 15 pikë, vetëm 5 më pak se kryesuesit Vëllaznimi dhe Feronikeli 74. Në javën e 10-të, Liria përballet me rivalët lokalë, Prizrenin, skuadrën e sapopromovuar që ka marrë dy fitore radhazi dhe po shfaq formë të lartë. Një sfidë që pritet të ndezë qytetin dhe të jetë test serioz për Lecin dhe projektin e tij.