Sylvinho

Sylvinho

Përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho, ka publikuar të premten listën e futbollistëve me të cilët synon një sukses historik – kualifikimin për herë të parë në plejofin për Kupën e Botës 2026. Shqipëria nuk ka luajtur kurrë më parë në fazën e plejofit për kualifikime në Botëror, ndërsa për edicionin 2026, që zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, ka shanse të mira të arrijë këtë objektiv.

Për ndeshjet e fundit të grupit kundër Andorrës dhe Anglisë, trajneri brazilian ka përzgjedhur emra të konfirmuar. Nga mbrojtësit rikthehet Ardian Ismajli, ndërsa mungon sërish Marash Kumbulla. Mesfusha forcohet me rikthimin e Adrion Pajazitit, ndërsa sulmi përbëhet nga Armando Broja, Rey Manaj, Myrto Uzuni, Mirlind Daku dhe Indrit Tuci.

Kuqezinjtë grumbullohen të hënën në Barcelonë, ndërsa ndeshja e parë e tyre do të zhvillohet më 13 nëntor nga ora 20:45 ndaj Andorrës. Takimi i dytë, Shqipëri – Angli, është caktuar për më 16 nëntor nga ora 18:00 në “Air Albania”.

Në Grupin K, Anglia ka siguruar kualifikimin direkt për në Botëror, ndërsa gara për vendin e dytë, që dërgon në plejof, mbetet e hapur midis Shqipërisë dhe Serbisë. Aktualisht, Shqipëria ndodhet në pozitën e dytë me 11 pikë, një më shumë se Serbia, dhe orari i ndeshjeve është favorizues.

Në përballjen e 13 nëntorit, Shqipëria është favorite ndaj Andorrës, ndërsa Serbia do të ndeshet me Anglinë në “Wembley”, një sfidë shumë e vështirë. Në rast fitores së Shqipërisë dhe të Anglisë, kuqezinjtë do të sigurojnë pozitën e dytë dhe ndeshja ndaj Anglisë më 16 nëntor do të ketë karakter festiv. Ndërkohë, Serbia do të luajë ndaj Letonisë pa vlerë të madhe për renditjen.

Shqipëria ka marrë pjesë dy herë në Kampionatin Evropian, në vitet 2016 dhe 2024, por Botërori i ka shpëtuar deri më tani. Ky grumbullim pritet të jetë një hap i rëndësishëm drejt arritjes së një momenti historik për futbollin shqiptar. /Kërlaçki.com/

b8d80a44 0e40 4e5b a6ae dea8aefa3a25