
Dy skuadra në kërkim të fitores së parë sezonale
Ndeshja ndërmjet Llapit dhe Dritës do të mbyll javën e tretë të AlbiMall Superligës së Kosovës, me të dyja skuadrat ende në kërkim të fitores së parë në kampionat.
Llapi vjen në këtë përballje pas një barazimi në Skenderaj dhe një humbjeje të thellë ndaj Prishtinës, pa arritur ende të shënojë gol në dy ndeshjet e para, ndërsa ka pësuar tre gola gjithsej. Kjo do të jetë ndeshja e parë e Llapit para tifozëve të vet në stadiumin “Zahir Pajaziti”.
Nga ana tjetër, Drita ka zhvilluar vetëm një ndeshje në kampionat – atë të javës së parë, ku u mposht me rezultat 1-0 në Ferizaj. Ndeshja e javës së dytë ndaj Drenicës është shtyrë për shkak të angazhimeve ndërkombëtare.
Skuadra gjilanase vjen pas një suksesi historik në arenën evropiane, duke u kualifikuar për herë të parë në Ligën e Konferencës. Megjithatë, tani fokusi i saj duhet të rikthehet te gara vendore, ku synon mbrojtjen e titullit kampion.
Llapi së fundmi ka prezantuar rikthimin e sulmuesit Muhamet Hyseni, i cili vjen në formë huazimi nga skuadra daneze Horsens. Ndërkohë, te Drita ka debutuar Kristal Abazaj në ndeshjen kthyese kundër Differdange në Luksemburg, të enjten e kaluar.
Historiku i përballjeve mes dy skuadrave tregon një rivalitet të ngushtë: në shtatë takimet e fundit, Llapi ka fituar tri ndeshje, ndërsa Drita katër. Vlen të theksohet se Llapi ka triumfuar në dy përballjet e fundit në “Zahir Pajaziti”, ndërsa fitorja e fundit e Dritës në Podujevë daton në prill të vitit 2024.
