Edhe pse kampionati ka hyrë në javën e tetë, FC Malisheva vijon me përforcimet, duke mos ndalur prezantimet e reja.
Pas fitores dramatike ndaj Drenicës në Skenderaj, klubi malishevas ka bërë një tjetër goditje në merkato. Drejtori sportiv i skuadrës, Sami Boroci, prezantoi sot mesfushorin latin, Agustin Rojas.
“Me kënaqësi ju prezantojmë futbollistin tonë më të ri, mesfushorin Agustin Rojas”, thuhet në njoftimin e klubit.
Rojas, i njohur ndryshe si “Tuco”, është një fantazist argjentinas i rritur te klubi i njohur Racing Club në Argjentinë. Ai ka përvojë edhe në kampionatin shqiptar, ku ka qenë pjesë e Erzenit në Superiore, ndërsa së fundmi ka luajtur për Prishtinën e Re, ku është dalluar si një prej lojtarëve më të rëndësishëm.
Me ardhjen e Rojasit, FC Malisheva synon të shtojë më tej cilësinë dhe kreativitetin në repartin e mesfushës.