
Të hënën mbrëma, Mallorca pësoi 3:2 në udhëtim nga Espanyoli, megjithëse Muriqi shënoi dy gola dhe Espanyoli luajti gjithë pjesën e dytë me një lojtar më pak.
Espanyoli kaloi në avantazh 2:0, ndërsa kosovari realizoi penallti për 2:1 në minutën e 45-të dhe më pas barazoi në 2:2 me një gol të bukur me kokë në minutën e 65-të. Një penallti e kontestuar vendosi fitoren 3:2 për vendasit në minutën e 81-të.
Pas katër xhirove në La Liga, Mallorca është e parafundit me një pikë, po aq sa Levante dhe Girona. Klubi kishte nisur me humbje 3:0 nga Barcelona, më pas barazim 1:1 me Celta Vigon, humbje 2:1 nga Real Madridi, dhe tani humbjen 3:2 ndaj Espanyolit.
Muriqi tha për ndeshjen se duhet të jenë të bashkuar, që të arrijnë te fitorja e parë e sezonit.
“Dy golat e parë të Espanyolit e zunë skuadrën tonë në gjumë. Kemi bërë gjërat më të vështira, ndërsa kemi dështuar në gjërat më të lehta. Duhet të jemi në formën më të mirë që të dalim nga kjo ëndërr e keqe në të cilën po kalojmë”
“Na duhet pak fat. Po luajmë mirë, por kalendari dhe gjitha këto gjëra që po ndodhin rreth nesh, nuk na kanë ndihmuar. Unë kërkoj vetëm që tifozët të jenë të bashkuar, të jenë një. Ndaj Atleticos pres që të gjithë mbështetësit të jenë aty që ta marrim fitoren e parë të edicionit”, deklaroi Muriqi.
Muriqi është në formë të mirë edhe me Kosovën, ku shënoi javën e kaluar në fitoren 2:0 ndaj Suedisë. Dy golat e së hënës janë të rëndësishëm për ndeshjet e tetorit kundër Sllovenisë në shtëpi dhe Suedisë në udhëtim.