Manchester City

Manchester City 3-1 Bournemouth.

Manchester City u rikthye te fitorja në Premier League, pas një triumfi të vështirë 3-1 në shtëpi ndaj AFC Bournemouth, duke e çuar në 17 serinë mbresëlënëse të përballjeve direkte në kampionat (16 fitore, 1 humbje), ndërsa ruan rekordin 100% në ndeshjet si pritës.

Pas humbjes zhgënjyese ndaj Aston Villës një javë më parë, Pep Guardiola kërkonte një reagim të fortë dhe e mori atë. Bournemouth mendoi se kishte befasuar vendasit që në sekondën e 45-të, kur Eli Junior Kroupi shënoi i pambuluar në zonë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Ky ishte një paralajmërim për Cityn, që më pas mori kontrollin. Erling Haaland përfitoi nga një pasim me thembër i Rayan Cherki dhe me shpejtësi përballoi portierin Djordje Petrovic për të zhbllokuar rezultatin.

Por skuadra e Andoni Iraolës nuk kishte ardhur për të bërë figurë kalimtare. Vetëm dhjetë minuta më vonë, Tyler Adams barazoi pas një dalje të pasigurt të Gianluigi Donnarummës në një goditje këndi të Alex Scott. Topi i lirë përfundoi në këmbët e mesfushorit amerikan, i cili nuk fali. Gëzimi i Bournemouth nuk zgjati shumë: sërish Haaland u lirua në prapavijën mike, shmangu Petrovic dhe e dërgoi topin në rrjetë për golin e tij të 13-të në këtë sezon të Premier League.

Në pjesën e dytë, Bournemouth u përpoq të reagojë dhe ishte pranë barazimit, por Donnarumma reagoi në mënyrë vendimtare ndaj një goditjeje të Kroupi-t, pas një kombinimi të bukur me David Brooks dhe Scott. Por City nuk e uli ritmin. Pas një aksioni të ndërtuar me durim, Phil Foden asistoi për Nico O’Reilly, i cili me qetësi hyri në zonë dhe goditi saktë në cepin e portës, duke vulosur praktikisht fitoren.

Goli i tretë i rrëzoi moralisht “Qershitë”, që nuk arritën të krijonin më raste përballë një mbrojtjeje të disiplinuar të Cityt. Pas një sërë zëvendësimesh nga të dyja skuadrat, loja humbi ritmin, por vendasit adminstruan pa shumë telashe minutat e fundit dhe siguruan fitoren që i ngjit në vendin e dytë në tabelë – një pikë mbi Bournemouth, që tashmë zbret në vendin e katërt.

 

Standings provided by Sofascore