Olympique de Marseille nuk arriti të rikthehej në krye të Ligue 1, pasi humbi 2-1 në transfertë ndaj RC Lens, që regjistroi fitoren e katërt radhazi në shtëpi dhe kaloi vetë Marseillen në renditje, duke u ngjitur në vendin e dytë.
Marseille e nisi ndeshjen furishëm, me katër goditje në shtatë minutat e para, ku më e rrezikshmja ishte një goditje me kokë e Mason Greenwood, e ndalur nga portieri Robin Risser. Megjithatë, në minutën e 18-të, Greenwood u tregua i saktë: pas një asisti nga Timothy Weah, ai shënoi me një kthesë të bukur në cepin e poshtëm – goli i shtatë sezonal për sulmuesin anglez.
Gëzimi i miqve zgjati vetëm dy minuta. Odsonne Édouard u rrëzua në zonë dhe fillimisht u ndëshkua për simulim, por pas ndërhyrjes së VAR-it, arbitra Stéphanie Frappart akordoi penallti – të cilën Édouard e shënoi me një “panenka”. Lens fitoi besim dhe dominimi u bë i qartë: Udol, Thauvin dhe Sangaré krijuan disa mundësi të mira, por pjesa e parë përfundoi në barazim falë pritjeve të portierit Gerónimo Rulli.
Pjesa e dytë nisi me vrull nga Lens dhe në minutën e 53-të kaluan në avantazh: pas një goditjeje nga këndi, presioni i Édouard detyroi Benjamin Pavard të shënojë në portën e tij. Marseille reagoi menjëherë me një goditje të fuqishme të Aubameyang, por Risser ishte në lartësinë e duhur. Thauvin ishte pranë golit të tretë, por u ndal nga Rulli me një pritje në vijën fatale.
Në minutat e fundit, Marseille kërcënoi me një tjetër goditje të Greenwood që përfundoi në rrjetën anësore, por Lens e ruajti epërsinë dhe shënoi fitoren e tretë radhazi me rezultatin 2-1. Marseille pësoi humbjen e tretë në kampionat – të gjitha në transfertë – dhe për herë të dytë këtë javë me të njëjtin rezultat.
RC Lens, me një mbrojtje që ka pësuar vetëm dy gola në pjesët e dyta këtë sezon, duket gjithnjë e më shumë si një kandidat serioz për kreun e Ligue 1.